ArkivaLajmeneutralePD

PD: Nuk ka pasur urdhër bojkotimi për mitingun e UÇK-së

PD: Nuk kishte asnjë urdhër për bojkotimin e mitingut në mbështetje të UÇK-së

Zyra e shtypit e Partisë Demokratike ka shpërndarë një deklaratë ku nënvizon se kjo forcë politike “nuk ka dhënë asnjë urdhër, verbal apo me shkrim, që përfaqësues apo mbështetës të saj, të mos marrin pjesë në mitingun mbështetës për ish-krerët e UÇK-së, të cilët janë në proces gjyqësor në Hagë”.

Në njoftim thuhet se “spekulimi banal i ndonjë medieje se ky urdhër ekziston është pjesë e skenarit të përhershëm anti-opozitar të Ramës dhe Partia Demokratike e hedh poshtë si të tillë”.

Duke theksuar qëndrimet e ditëve të fundit dhe ato të përhershme të kryetarit të saj, Lulzim Basha, Zyra e shtypit e PD-së nënvizon se “kauza e UÇK-së, lufta e saj dhe e popullit shqiptar të Kosovës, janë jo vetëm të drejta, por edhe pjesë e nderit të përjetshëm të kombit dhe çështjes kombëtare shqiptare”.