PD për UÇK: Përshëndet protestën, dënon manipulimin
Partia Demokratike (PD) ka reaguar lidhur me protestën e mbajtur në Tiranë në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). PD, e cila mungoi në protestë, ka deklaruar se lufta çlirimtare e UÇK-së është “faqja më e ndritur e luftërave të shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar”.
Sipas deklaratës së publikuar nga kreu i PD-së, Sali Berisha, pa sakrificën dhe heroizmin e luftëtarëve të UÇK-së, Kosova nuk do të ishte e lirë dhe e pavarur. UÇK-ja cilësohet si aleate besnike e NATO-s gjatë bombardimeve ajrore kundër regjimit të Millosheviçit në vitin 1999.
Partia Demokratike ka theksuar mbështetjen e saj për zbatimin e ligjit kombëtar dhe ndërkombëtar, duke përfshirë krijimin e Gjykatës Speciale të Kosovës. PD ka shprehur shqetësimin se procesi gjyqësor kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së, si Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, nuk ka paraqitur fakte apo prova konkrete për akuzat.
PD konstaton se akuzat si “shkulja e organeve” janë rrëzuar dhe se nuk janë publikuar provë për urdhra të drejtpërdrejtë për krime. Sipas deklaratës, procesi është bazuar në dosje të fabrikuara nga Beogradi dhe armiq të kombit shqiptar.
Për rrjedhojë, Partia Demokratike i bën thirrje trupit gjykues të Gjykatës Speciale të shpallë pafajësinë e ish-udhëheqësve të UÇK-së. Në fund, PD përshëndet protestën paqësore dhe dënon çdo përpjekje për manipulim të saj nga persona me qëndrime armiqësore ndaj Kosovës.