PD propozon reformë territoriale: 100 bashki, 6 rajone

PD propozon hartë të re territoriale me 100 bashki dhe 6 rajone

Partia Demokratike ka propozuar një variant të ri për reformën administrative-territoriale, duke parashikuar rritjen e numrit të bashkive nga 61 në 100 dhe organizimin e vendit në gjashtë rajone.

Sipas propozimit të PD-së, harta aktuale e miratuar në vitin 2014 do të zgjerohej me 39 bashki të reja. Një pjesë e njësive administrative që aktualisht funksionojnë brenda bashkive të mëdha do të riktheheshin si bashki më vete, ndërsa disa bashki ekzistuese do të riorganizoheshin ose do të ndaheshin në njësi më të vogla.

Ndarja e propozuar përfshin gjashtë rajone:

  • Shkodër–Lezhë
  • Dibër–Kukës
  • Tiranë–Durrës
  • Elbasan–Korçë
  • Fier–Berat
  • Vlorë–Gjirokastër

Varianti i PD-së synon të zhbëjë pjesërisht bashkimet e realizuara me reformën territoriale të vitit 2014, duke rikthyer ish-komuna ose qendra urbane që sot janë njësi administrative si bashki të veçanta.

Ndryshimet më të theksuara sipas rajoneve:

Tiranë–Durrës me 15 bashki: Rajoni Tiranë–Durrës do të përbëhej nga 15 bashki, duke shtuar shtatë njësi të reja krahasuar me tetë që ka aktualisht. Në Qarkun e Tiranës, numri i bashkive propozohet të dyfishohet nga pesë në dhjetë. Bashki të reja si Petrela, Kashari, Dajti, Arbana dhe Ndroqi propozohen të krijohen, ndërsa Tirana do të kufizohej në territorin aktual të njësisë, me njësitë periferike të organizuara në bashki të veçanta. Në Qarkun e Durrësit, numri i bashkive do të rritej nga tre në pesë.

Shkodër–Lezhë me 16 bashki: Rajoni Shkodër–Lezhë do të kishte 16 bashki, dyfishi i tetë që përfshin aktualisht. Në Qarkun e Shkodrës propozohet rritja e numrit të bashkive nga pesë në tetë, me krijimin e bashkive Velipojë, Drivast dhe Koplik. Ndryshimi më i madh në këtë rajon parashikohet në Qarkun e Lezhës, ku numri i bashkive do të rritej nga tre në tetë.

Dibër–Kukës me 13 bashki: Rajoni Dibër–Kukës propozohet të ketë 13 bashki, nga shtatë aktualisht. Qarku i Kukësit do të kalonte nga tre në pesë bashki, ndërsa Qarku i Dibrës do të dyfishonte numrin e bashkive nga katër në tetë.

Elbasan–Korçë me 19 bashki: Rajoni Elbasan–Korçë do të kishte 19 bashki, nga 13 aktualisht. Në Qarkun e Elbasanit do të shtoheshin bashkitë Bradashesh dhe Shpat, duke e çuar numrin total nga shtatë në nëntë. Në Qarkun e Korçës numri i bashkive propozohet të rritet nga gjashtë në dhjetë, duke krijuar bashki të reja si Voskopojë, Pojan, Leskovik dhe Mokër. Bashkia Kolonjë do të riemërtohej Ersekë, ndërsa Leskoviku do të funksiononte si bashki më vete.

Fier–Berat, tetë bashki të reja: Rajoni Fier–Berat do të përfshinte 19 bashki, nga 11 aktualisht. Në Qarkun e Fierit, numri i bashkive do të dyfishohej nga gjashtë në 12, me propozimin e njësive të reja si Ardenica, Krutja, Dushku, Fratari, Levani dhe Cakrani. Territori i Bashkisë Mallakastër do të ndahej ndërmjet dy bashkive. Në Qarkun e Beratit do të shtoheshin bashkitë Otllak dhe Shpirag, duke e çuar numrin e bashkive nga pesë në shtatë.

Vlorë me katër bashki të reja, Gjirokastra mbetet e pandryshuar: Rajoni Vlorë–Gjirokastër do të kishte 18 bashki, nga 14 aktualisht. Të katër bashkitë e reja do të krijoheshin në Qarkun e Vlorës, ku numri i njësive vendore do të rritej nga shtatë në 11. Propozimi përfshin bashkitë Orikum, Amantia, Ksamil dhe Novoselë. Bashkia e Himarës do të përfshinte Himarën dhe Lukovën, ndërsa Orikumi do të funksiononte si bashki më vete. Amantia do të krijohej nga disa njësi administrative ekzistuese. Qarku i Gjirokastrës është i vetmi ku nuk propozohet rritje e numrit të bashkive, duke vazhduar të ketë shtatë njësi vendore.

Ky propozim i PD-së kundërshton atë të Partisë Socialiste, e cila pati në themel reduktimin e mëtejshëm të numrit të bashkive nga 61 në 46.

Scroll to Top