Zgjedhjet për kreun e partisë: Partia Demokratike publikon udhëzimet
Partia Demokratike ka nisur përgatitjet për zgjedhjet e saj të brendshme, si në strukturat e degëve, ashtu edhe në qendër. Sot, PD-ja ka publikuar udhëzimet për procesin zgjedhor dhe organizativ të brendshëm.
Sipas dokumentit, mandati katërvjeçar i organeve drejtuese të partisë përfundon në maj të këtij viti. Ky fakt e bën të domosdoshëm rinovimin e tyre përmes një procesi statutor, të rregullt dhe transparent.
Në këtë kuadër, është vendosur që zgjedhjet të zhvillohen në të gjitha degët dhe nivelet e strukturës së Partisë Demokratike deri më 30 prill 2026. Këtu përfshihen postet nga kryetarët e seksioneve deri te drejtuesit e degëve dhe kryesitë përkatëse. Në udhëzim theksohet se procesi duhet të zhvillohet në përputhje me Statutin e partisë.
Ky zhvillim vjen në një moment të tensionuar politik. Partia Demokratike po përgatitet për procesin e saj të brendshëm elektoral, ndërkohë që prej disa muajsh zhvillon protesta të vazhdueshme kundër qeverisë. PD-ja denoncon skandale korruptive, veçanërisht ato që lidhen me ish-zv.kryeministren Belinda Balluku dhe çështjen e AKSHI-t. Paralelisht, partia kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike për zgjedhje të reja.
