E marta e zezë, PD reagon: Në shtetin e Ramaduros sundon vetëm terrori, frika dhe vrasjet
Partia Demokratike ka reaguar lidhur me situatën e rëndë të rendit dhe sigurisë në vend, ku gjatë ditës së sotme janë regjistruar disa ngjarje të rënda.
Sipas komunikatës së PD-së, ditën e sotme kanë ndodhur tre vrasje, një atentat me eksploziv dhe një i ri që humbi jetën pasi u përplas për vdekje nga një person nën efektin e alkoolit, i cili udhëtonte me një automjet të markës Porsche me shpejtësi rreth 200 kilometra në orë në mes të qytetit të Vlorës.
PD thekson se “në shtetin e Ramaduros ka vetëm vrasje, terror dhe frikë”.
“Dita e sotme është kthyer në një ‘të martë të zezë’ për Shqipërinë. Tri vrasje me thikë, në Durrës, Tiranë dhe Berat, dhe një i plagosur me eksploziv në qytetin e Shkodrës, dëshmojnë gjendjen e terrorit ku është zhytur vendi dhe humbjen e kontrollit nga një qeveri që qeveris me diellin dhe ‘kryeministrin diell’,” thuhet në deklaratë.
Partia Demokratike, duke dënuar fuqishëm çdo akt dhune, shpreh ngushëllimet për familjet e viktimave dhe bën thirrje që drejtësia të veprojë me baraspeshë dhe qetësi, në mënyrë që të shmangen çdo lloj akte vetëgjyqësie.
Njëkohësisht, PD ngre alarmin për rolin pasiv të Policisë së Shtetit, e cila quhet “policia e narkoshtetit”, duke treguar jo vetëm paaftësi, por edhe pandjeshmëri ndaj qytetarëve dhe rendit publik.
“Dhuna nuk është zgjidhja, aq më pak është zgjidhje një polici dhe qeveri që nuk ka prioritet jetën dhe sigurinë e shqiptarëve, por ndarjen e drogës, territoreve dhe ndikimit elektoral me bandat. Në shtetin e Ramaduros, sundon vetëm terrori, frika dhe vrasjet,” përfundon deklarata e PD-së.
