PD Shkodër: Takim Salianji me axhendë private, lidhje me Bashkinë

PD kundër Ervin Salianjit: Mesazh për demokratët e Shkodrës para takimit me mbështetësit: “Axhendë tërësisht private, organizohet nga Benet Beci dhe falangat e tij!”

Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ka njoftuar një takim me mbështetësit e tij në Shkodër, me qëllim politik për riorganizimin dhe fuqizimin e Partisë Demokratike përballë qeverisjes aktuale, në një kohë të karakterizuar nga skandale dhe afera korruptive.

Takimi ishte planifikuar të mbahej në orën 18:00 të mbrëmjes. Megjithatë, kanë qenë të shumta reagimet, veçanërisht nga dega lokale e Partisë Demokratike në Shkodër.

Me anë të një mesazhi të shpërndarë strukturave dhe mbështetësve, dega lokale ka theksuar se takimi i Salianjit organizohet nga Benet Beci, kryetari i Bashkisë së Shkodrës, dhe se ky takim i shërben vetëm Edi Ramës dhe qeverisë së tij.

Është nënvizuar se ky takim privat, që nuk ka lidhje me Partinë Demokratike, po spekulohet, ndërsa edhe persona me precedentë kriminalë po mbështesin Salianjin në këtë tubim.

“Sot, duke spekuluar në emër të PD-së, po tentohet të organizohet një takim me një axhendë tërësisht private, pa asnjë lidhje me Partinë Demokratike. Ky takim organizohet nga Benet Beci dhe falanga e tij dhe për më keq, me mbështetjen edhe të elementëve kriminalë,” thuhet mes të tjerash në mesazh.

Partia Demokratike është distancuar nga Salianji për këto takime. Më herët, kryetari Sali Berisha kishte deklaruar se “ish-deputeti është vetëpërjashtuar nga PD” me këto lëvizje të fundit që po kryen jashtë strukturave partiake.

Njëkohësisht, Berisha dhe PD kanë njoftuar se po në atë ditë do të mbahej takimi i radhës i “Foltores”, me strukturat e partisë në qytetin e Korçës.

Mesazhi i degës së PD Shkodër:

“I dashur anëtar i PD Shkodër.

Sot, duke spekuluar në emër të PD-së, po tentohet të organizohet një takim me një axhendë tërësisht private, pa asnjë lidhje me Partinë Demokratike. Ky takim organizohet nga Benet Beci dhe falanga e tij dhe për më keq, me mbështetjen edhe të elementëve kriminalë.

Dega e PD Shkodër ju bën thirrje ju, si anëtarë të degës, të distancoheni, pasi ky takim i shkon për shtat axhendës së Edi Ramës.”

Scroll to Top