PDK: Zgjedhje të Reja Udhëheqëse dhe Sfida të Mëdha

Analizë: Çfarë po ndodh në Partinë Demokratike të Kosovës?

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), aktualisht forca e dytë më e madhe parlamentare në vend, po përgatitet për zgjedhjen e një udhëheqësi të ri. Qëllimi është të vihet në krye dikush që mund të sfidojë kryeministrin aktual, Albin Kurtin, i cili me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) ka qenë në pushtet që nga viti 2021 dhe ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Kryetari i deritanishëm, Memli Krasniqi, dha dorëheqje papritmas të mërkurën dhe thirri Konventën e partisë për të hënën, 17 nëntor. Ai deklaroi se ka ardhur koha për një moment të ri dhe një mundësi të re për “familjen tonë demokratike”. Një ditë më vonë, Bedri Hamza, kandidati i PDK-së për kryeministër në zgjedhjet e këtij viti, njoftoi se do të garojë për kryetar, duke premtuar reforma me qëllim që ta rikthejë PDK-në “si partinë kryesore në vend”.

Ndërkohë që gjithçka dukej se po ecte sipas planit, deputeti dhe ish-ushtruesi i detyrës së kryetarit, Enver Hoxhaj, ka shfaqur kundërshtime. Ai ka kërkuar që Konventa të shtyhet për 23 nëntor, duke argumentuar se nevojitet më shumë kohë për një garë më cilësore dhe se një parti demokratike duhet të ketë më shumë se një kandidat në garë. “PDK-ja ka nevojë për drejtim të ri, jo për skema të vjetra, ka nevojë për vizion të ri, jo për ndërrim rolesh. Ky është momenti për t’ia hapur rrugën ndryshimit të vërtetë,” ka shkruar Hoxhaj në Facebook.

PDK-ja nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë (REL) nëse Hamza do të ketë kundërshtarë në garën për udhëheqës të partisë. REL-i e ka kontaktuar edhe Hoxhajn, por ai nuk ka treguar nëse do të jetë pjesë e garës. Megjithatë, të premten, duke folur në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Hoxhaj la të kuptohet se do të luftojë për ta bindur partinë të shtyjë mbajtjen e Konventës, në mënyrë që të sigurojë mbështetjen e delegatëve për të garuar. Sipas statutit të PDK-së, një kandidat duhet t’i ketë nënshkrimet e 50 delegatëve dhe kandidaturën duhet ta paraqesë deri pesë ditë para mbajtjes së Konventës. Kjo do të thotë se, nëse Konventa mbahet të hënën, Hoxhaj nuk do të mund të garojë. “Është në natyrën njerëzore të luftojmë në situata të tilla. Unë do ta bëj betejën time deri në fund,” ka thënë Hoxhaj.

Artan Muhaxhiri, sociolog dhe analist politik, thotë për REL-in se, edhe pse dorëheqja e Krasniqit ishte e befasishme, “ishte akt i duhur”. Ai beson se zgjedhjet për kryetar mund të shndërrohen në një “përshpejtues të ndryshimeve në PDK, nëse edhe kushtet e tjera të domosdoshme plotësohen”. Sipas tij, për PDK-në do të jetë e rëndësishme mënyra se si zhvillohet gara, pasi nëse procesi do të jetë vetëm formalitet, atëherë mund të ketë pasoja. “PDK-ja ka nevojë të domosdoshme për një rigjallërim të udhëheqjes, të strukturave për kërkim të resurseve profesionale brenda partisë, si dhe për ndryshimin e imazhit dhe të ndikimit në publik, sepse me zgjedhjet që na presin nuk mund të vazhdojë me këtë inerci,” thekson Muhaxhiri.

Kandidatura eventuale e Hoxhajt

Enver Hoxhaj nuk kishte garuar as në Konventën e vitit 2021 kur u zgjodh Memli Krasniqi për herë të parë kryetar, pavarësisht se për më shumë se 200 ditë e kishte udhëhequr partinë si ushtrues i detyrës. Këtë vit, ai ka qenë i zëshëm në qëndrimet e tij që dallonin me ato të vetë partisë. Në verë, ai kishte thënë se do ta mbështeste një koalicion me LVV-në e Kurtit dhe kishte nënvizuar se mund të kishte rol kur fliste për zgjedhjet e mundshme brenda partisë.

Nëse Hoxhajt i mundësohet të garojë, sipas Muhaxhirit, ai duhet ta ketë një ekip pas vetes dhe një platformë me “ide të freskëta dhe kreative”, me të cilat do të mund t’i bindte edhe anëtarët e PDK-së që ai mund ta sfidojë Kurtin. Muhaxhiri beson se Hoxhaj është pjesë e rëndësishme e PDK-së, pavarësisht se ai nuk e ka më ndikimin që kishte në parti kur ajo udhëhiqej nga Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, të cilët tani po gjykohen në Hagë për krime lufte, të cilat i mohojnë. “Gjithsesi, ai është pjesë shumë e rëndësishme e PDK-së dhe nëse ka platformë dhe ekip, mund ta sfidojë Hamzën, por duket se kjo garë tashmë është e përfunduar dhe Hoxhaj është duke u përpjekur ta krijojë një imazh të një rebeli brenda PDK-së që nuk pajtohet me të gjitha vendimet.”

A mund të sjellë ndryshime Hamza?

Muhaxhiri vlerëson se PDK-ja u tregua e “sinqertë” duke i shpallur zgjedhjet për kryetar për t’u ballafaquar me gjendjen e tanishme dhe për të kërkuar mundësi për t’u kthyer në pushtet. “Sepse më nuk ka kuptim që PDK-ja të jetë në këtë gjendje ku është shumë larg Lëvizjes Vetëvendosje dhe pa ndonjë ide të qartë se si ta sfidojë pushtetin e madh të Kurtit,” shprehet Muhaxhiri.

Nën udhëheqjen e Krasniqit – nga viti 2021 – PDK-ja doli e dyta në zgjedhjet parlamentare në shkurt, duke ngelur goxha mbrapa LVV-së. Ajo i fitoi gjashtë komuna në zgjedhjet lokale, duke pësuar një rënie të vogël në nivel lokal. Brenda PDK-së kishte përçarje në Drenas, të cilat u bënë të qarta kur partia nuk e nominoi për kryetar Ramiz Lladrovcin, njeriun i cili e kishte udhëhequr këtë komunë qysh nga viti 2016. Lladrovci garoi si i pavarur dhe e mposhti të nominuarin e PDK-së, Petrit Hajdarin, duke e fituar garën bindshëm në raundin e parë më 12 tetor.

Muhaxhiri nënvizon se PDK-ja nuk ka pasur strategji, plan apo ide se si ta sfidojë Kurtin dhe LVV-në në këto pjesë vitet e fundit. “Siç u pa në zgjedhjet lokale tani, Kurti vetëm sa e zgjeroi pushtetin me komuna të reja. Ky është rrezik i madh për PDK-në, sepse, nëse zoti Kurti i fiton sërish zgjedhjet parlamentare me rreth 40 për qind, kjo do të jetë shenjë se absolutisht nuk kanë mundur t’ia zvogëlojnë pushtetin as për një milimetër, dhe kjo është e pafalshme nëse zgjat gjashtë a shtatë vjet,” sipas Muhaxhirit.

Kosova mund të shkojë në zgjedhje parlamentare jo më larg se në dhjetor, duke qenë se asnjëra parti nuk e ka shumicën e nevojshme, e as vullnetin për bashkëqeverisje, pas zgjedhjeve të shkurtit. Dhe, nëse Hamza zgjidhet kryetar i PDK-së, gjë që duket e pashmangshme, duke e parë se ai e mori edhe mbështetjen publike të Krasniqit në ditën e dorëheqjes së tij, atëherë ai e ka vetëm një detyrë, sipas Muhaxhirit. “Të kërkojë me zell brenda strukturave të PDK-së në gjithë Kosovën njerëz të rinj, personalitete të reja, profesionistë të rinj dhe t’i sjellë në fokus si përfaqësues të një gjenerate të re të PDK-së, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të krijohet një lloj shprese se PDK-ja mund të reformohet dhe ta rrisë pushtetin e saj.”

PDK-ja, e formuar në fund të vitit 1999, ka bashkëqeverisur në vitet 2001-2004, ndërsa në vitin 2007, ajo për herë të parë doli partia më e votuar në Kosovë. Ajo qeverisi për shtatë vjet me Hashim Thaçi si kryeministër të Kosovës. Për 17 vjet me radhë, PDK-në e drejtoi Thaçi, i cili shërbeu edhe si president edhe si kryeministër i vendit në disa faza. Më 2016, kur Thaçi u bë president, partinë e udhëhoqi Kadri Veseli deri kur u nis në Hagë, më 2020./REL

Scroll to Top