Parlamenti Europian miraton propozimin për mbrojtjen e të miturve në platformat online
Parlamenti Europian, në një seancë të zhvilluar në Strasburg, miratoi një propozim jo-legjislativ që synon të mbrojë të miturit në internet. Ky propozim përfshin vendosjen e një moshe minimale prej 16 vjeç për aksesin në mediat sociale në të gjithë Bashkimin Europian dhe ndalimin e praktikave më të dëmshme dhe problematike.
Eurodeputetët votuan me 483 vota pro, 92 kundër dhe 86 abstenime, duke mbështetur një moshë minimale të harmonizuar prej 16 vjeç për aksesin në mediat sociale, platformat e videove dhe rrjetet e inteligjencës artificiale. Njëkohësisht, propozimi lejon aksesin për fëmijët e moshës 13 deri në 16 vjeç me pëlqimin e prindërve.
Parlamenti gjithashtu bën thirrje për:
- Ndalimin e praktikave më të dëmshme që krijojnë varësi.
- Çaktivizimin e parazgjedhur të veçorive që krijojnë varësi për të miturit.
- Ndalimin e faqeve të internetit që nuk përputhen me rregullat e BE-së.
- Veprime për të trajtuar teknologji të tilla si reklamat e synuara.
Parlamenti Evropian kërkon gjithashtu mbrojtjen e të miturve nga shfrytëzimi komercial. Kjo përfshin ndalimin e platformave nga ofrimi i stimujve financiarë për fëmijët me ndikim (fëmijët që veprojnë si ndikues) dhe kërkon veprime urgjente për të adresuar sfidat etike dhe ligjore të paraqitura nga mjetet e inteligjencës artificiale, duke përfshirë edhe format e manipulimit digjital të imazheve (deepfakes).
Mediat e huaja raportojnë se ky propozim i Parlamentit Evropian nuk është detyrues, por paraqet një thirrje të qartë për Komisionin Evropian që të ndërmarrë veprime konkrete. Propozimi përforcon negociatat në vazhdim brenda BE-së, të udhëhequra nga Greqia dhe mbështetura nga Franca dhe Spanja, të cilat synojnë vendosjen e rregullave të reja për të kufizuar masivisht përdorimin e mediave sociale nga fëmijët, përballë shqetësimeve në rritje lidhur me efektet e kohës së tepërt në internet.
Çështja e ndalimit të përdorimit të mediave sociale nga të rinjtë nën 16 vjeç pa pëlqimin e prindërve ka marrë vëmendje globale. Australia, e ndjekur nga Malajzia dhe Danimarka, kanë vendosur të përcaktojnë moshën minimale për regjistrimin e llogarive në disa platforma sociale në 16 vjeç.
Komisioni Evropian po shqyrton mënyra për të kufizuar aksesin në mediat sociale nga të rinjtë nën 16 vjeç, por aktualisht fokusi është në një rishikim të mundshëm të disa direktivave. Në “gjuhën e Brukselit”, një direktivë, ndryshe nga një rregullore, është një akt legjislativ që përcakton një qëllim që të gjitha vendet e BE-së duhet ta arrijnë, por i lë secilit vend të miratojë ligjet e veta për të realizuar këto qëllime.
