Parlamenti Evropian voton pro raportit të zgjerimit, i kujton kushtet Shqipërisë dhe Malit të Zi
Parlamenti Evropian votoi sot pro raportit për zgjerimin e Bashkimit Evropian, me 385 vota pro, 147 kundër dhe 98 abstenime.
Dokumenti thekson se kostoja e moszgjerimit do të ishte më e madhe se ajo e pranimit të anëtarëve të rinj në BE. Megjithatë, Parlamenti Evropian u kujton vendeve kandidate se duhet të përmbushin pa asnjë kompromis kushtet dhe reformat e kërkuara nga Bashkimi Evropian.
Në raport thuhet se Mali i Zi dhe Shqipëria kanë vendosur tashmë objektiva ambicioze për përfundimin e negociatave të anëtarësimit, përkatësisht në vitin 2026 dhe 2027. Sipas eurodeputetëve, BE duhet t’i inkurajojë këto vende që ambicien e tyre ta shoqërojnë me realizimin e reformave konkrete.
Ata i bëjnë thirrje gjithashtu Këshillit Evropian që të njohë këtë moment dhe të heqë çdo pengesë që mund të ekzistojë nga ana e Bashkimit Evropian.
Eurodeputetët theksojnë se asnjë vend nuk duhet të trajtohet si pjesë e një pakete dhe se nuk mund të ketë rrugë të shkurtra pa përmbushur vlerat dhe parimet themelore të BE-së. Sipas raportit, procesi i zgjerimit duhet të mbetet i bazuar në meritë dhe i kthyeshëm nëse reformat nuk realizohen.
Sundimi i ligjit, reformat demokratike, pavarësia e gjyqësorit dhe lufta kundër korrupsionit duhet të mbeten kërkesat kryesore të procesit të zgjerimit. Eurodeputetët bëjnë thirrje gjithashtu për monitorim më të fortë të reformave në vendet kandidate, sidomos në kuadër të grupkapiullit të parë, “Themeloret”.
Raporti thekson gjithashtu se moszgjerimi i Bashkimit Evropian do të krijonte rrezikun e formimit të zonave gri gjeopolitike, të ndjeshme ndaj ndikimeve të fuqive të huaja jashtë kontinentit evropian.
