Interpelanca me Ballukun/ Peleshi e anulon me një justifikim për të qeshur
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka refuzuar kërkesën e opozitës për një interpelancë urgjente me zv.kryeministren Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur nga SPAK për aferën e tunelit të Llogarasë.
Kryeparlamentari sqaroi se çështja ndaj Belinda Ballukut, e cila mungon në Kuvend, është nën hetim nga SPAK. Për këtë arsye, sipas Niko Peleshit, ai e konsideroi zhvillimin e interpelancës si një ndërhyrje të Parlamentit në çështje që janë në proces hetimor, duke shtuar se kjo bie ndesh me parimet e pavarësisë së organit të akuzës.
“Është një çështje nën hetim nga SPAK. Në këto kushte, ndërhyrja e Kuvendit përmes zhvillimit të një interpelance bie ndesh me parimet e pavarësisë së organit të akuzës. Në përputhje me atributet e mia, vlerësoj se zhvillimi i interpelancës urgjente të kërkuar është i pamundur të realizohet,” tha Niko Peleshi.
