Pengmarrje në Tiranë: Si u bë kurth një i ri nga e dashura

Rrëmbimi i të riut në Tiranë, si u fut në kurth nga e dashura

Mësohen detaje të reja në lidhje me marrjen peng dhe dhunimin e një 27-vjeçari në Tiranë. Dy persona janë arrestuar dhe tre të tjerë janë shpallur në kërkim, mes tyre dy vajza.

Personat në kërkim janë Klajdi Limani, Monika Marku dhe Suate Cenoaliaj. Suate Cenoaliaj kishte pasur një lidhje dashurie me 27-vjeçarin, por njëkohësisht edhe me njërin prej të arrestuarve, Lusjan Kimzën.

Lusjan Kimza rezulton të jetë edhe ideatori i pengmarrjes së 27-vjeçarit. Pasi ka parë se e dashura e tij komunikonte me SMS edhe me 27-vjeçarin, ata kanë rënë dakord t’i bënin atij presion dhe t’i kërkonin para.

Në këtë fazë hyn në lojë edhe vajza tjetër, Monika Marku. Ajo ka biseduar me 27-vjeçarin dhe kanë lënë takim për të pirë kafe, shkruan “Balkan Web”.

Të rinjtë kishin menduar planin më së miri, duke marrë me qira një apartament në Airbnb, ku Monika Marku u nis më pas me 27-vjeçarin. Pikërisht në këtë moment, nga tualeti i apartamentit dalin djemtë e tjerë, të cilët pasi e dhunojnë të riun, i kërkojnë shumën prej 5 mijë eurosh.

27-vjeçari u mbajt peng për disa orë, pas së cilës u lirua. Ai u kthye në shtëpi, mori shumën e parave dhe ua dorëzoi rrëmbyesve. Më pas, ata i kërkuan sërish shumën prej 5 mijë eurosh, duke e shantazhuar dhe kërcënuar.

I dëmtuar, i riu paraqitet në spital për mjekim, ku mjekët njoftuan më pas policinë. Agjentët bënë të mundur zbardhjen e ngjarjes pas deklarimeve të tij. Dorëzimi i parave për herë të dytë u bë me anë të stimulimit, për të identifikuar dhe arrestuar personat përgjegjës.

Scroll to Top