Pensionet nuk rriten, qeveria vijon me bonusin në fundvit
Qeveria po planifikon të ofrojë një bonus për pensionistët edhe këtë fundvit. Vendimi përfundimtar pritet të merret nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit pas muajit shtator.
“Ne presim që mbështetja për fundvit të jetë gjithëpërfshirëse dhe të mos lërë jashtë asnjë kategori. Të moshuarit përballen me kosto të larta jetese dhe çdo ndihmë financiare është e domosdoshme, veçanërisht gjatë periudhës së dimrit,” tha Faik Xhani, nga “Bashkimi i Përgjithshëm i Pensionistëve të Shqipërisë”.
Ky vendim vjen pas fillimit të zbatimit të skemës së re, e cila parashikon një rritje mujore të pensioneve. Megjithatë, nga kjo formulë, rreth 90,000 të moshuar janë përjashtuar nga rritja.
Aktualisht, bonus mujor marrin 727,000 pensionistë, ndërkohë që numri total i pensionistëve në vend është rreth 770,000. Vetëm 36% e tyre do të marrin 1,800 lekë në muaj, ndërsa pjesa dërrmuese, rreth 41%, do të marrë 800 lekë. Më pas, 10.3% do të marrin 1,000 lekë, ndërsa pjesa tjetër përfiton shuma në intervalin 600–700 lekë.
“Formula aktuale ka krijuar diferenca mes pensionistëve dhe kjo ka sjellë pakënaqësi. Duhet rishikuar mënyra e përllogaritjes që mbështetja të jetë më e drejtë dhe të garantojë trajtim të barabartë për të gjithë,” tha Xhani.
Nëse skema do të mbetet e pandryshuar, numri i pensionistëve që nuk do të përfitojnë pritet të rritet në vitin 2027, pasi vlerat mujore të bonusit do të dyfishohen.
“Fondet e akumuluara duhet të shfrytëzohen për të forcuar skemën e pensioneve, qoftë për rritje të përhershme, qoftë për shpërblime shtesë. Është e rëndësishme që këto burime të kthehen në përfitime konkrete për pensionistët,” u shpreh Xhani.
Ndërkohë, fundjavën e kaluar, Ministria e Financave njoftoi se rreth 167 milionë euro që nuk u shpenzuan vitin e kaluar janë depozituar në Llogarinë Speciale të Fondit të Pensioneve pranë Bankës së Shqipërisë. Fondet që kalojnë në llogarinë e Bankës Qendrore mund të përdoren me vendim të Këshillit të Ministrave për të mbështetur pensionistët, si për shpërblime, ashtu edhe për indeksimin e pensioneve.
