Pensionistët e punësuar: Propozim për përjashtim nga sigurimet

Partia Demokratike: Pensionistët e punësuar të përjashtohen nga pagesa e sigurimeve! Qeveria: Kontributi do të kthehet si bonus ose rritje pensioni.

Mijëra qytetarë vijojnë të punojnë edhe pasi kanë dalë në pension, por megjithatë, ata paguajnë kontribute sikurse të gjithë të punësuarit e tjerë.

Deputeti i Partisë Demokratike, Igli Cara, ka propozuar ndryshime në ligjin e sigurimeve shoqërore, me qëllim përjashtimin e kësaj kategorie nga detyrimi për të paguar sigurime, pasi ata kanë kontribuar tashmë një herë për pensionin e tyre.

“A është apo jo e drejtë, që një pensionist, pasi ka kontribuar 39 vite, të vazhdojë të kontribuojë në skemë, por ai mund të ndërrojë jetë pas 10 vitesh? A është kjo e drejtë? Kjo nuk ka sens logjik. Ne po flasim për një kategori që vazhdon të punojë sepse ka nevojë për shkak të pensionit të ulët. Bëhet fjalë për 18 milionë euro. E di që është shumë, por duhet të kuptojmë për cilën kategori po flasim”, u shpreh Cara.

Projektligji synon që përjashtimi të jetë i përkohshëm, me një afat 4-vjeçar, dhe aktualisht po shqyrtohet në komisionet parlamentare. Megjithatë, ky propozim nuk gjen mbështetjen e qeverisë.

Zv/ministrja e Ekonomisë, Olta Manjani, shpjegoi se qeveria po diskuton, në kuadër të skemës së re të pensioneve, kthimin e këtyre kontributeve si bonus ose duke rritur pensionin mujor të pensionistit që punon.

“Alternativat që po shqyrtojmë në kuadër të skemës së pensioneve, e cila ende nuk është finalizuar, po shikohet një qasje që kontributet e paguara nga pensionistët pas arritjes së moshës së pensionit, të njihen dhe të reflektohen, ashtu siç është bërë me të vetëpunësuarit. Pra, ose do ju bëjmë një rillogaritje të pensionit, në mënyrë që ajo që kanë kontribuar në skemë të reflektohet në masën e pensionit, ose dhënien e një bonusi për çdo vit sigurimi shtesë. Kjo alternativë, përveçse ruan parimin kontributiv të skemës, krijon edhe stimujt e nevojshëm për vijimin e punësimit të pensionistëve”, tha Manjani.

Scroll to Top