Pentagoni Aprobon Dërgimin e Raketave Tomahawk në Ukrainë
Pentagoni i ka dhënë Shtëpisë së Bardhë miratimin për të furnizuar Ukrainën me raketa Tomahawk me rreze të gjatë veprimi. Ky vendim, sipas vlerësimeve, nuk pritet të ndikojë në rezervat strategjike të Shteteve të Bashkuara. Vendimi përfundimtar, megjithatë, i takon presidentit Donald Trump, sipas burimeve të informuara nga çështja, përfshirë zyrtarë amerikanë dhe evropianë.
Raporti i Pentagonit iu paraqit Shtëpisë së Bardhë në fillim të muajit, pak para takimit të presidentit Trump me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Uashington. Presidenti Zelensky ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme furnizimin me raketa të tilla, me synimin për të goditur objektivat strategjike të naftës dhe energjisë brenda territorit rus, duke shtuar kështu kapacitetin sulmues të Ukrainës kundër Rusisë.
Raketat Tomahawk kanë një rreze veprimi prej rreth 1,600 kilometrash. Miratimi nga Pentagoni ka inkurajuar edhe aleatët evropianë të SHBA-së, të cilët tashmë besojnë se nuk ka më arsye për të vonuar dërgimin e këtyre raketave. Dy zyrtarë evropianë theksuan se vlerësimi i SHBA-së “eliminoi çdo justifikim” për mosfurnizimin.
Presidenti Trump vetë kishte deklaruar disa ditë para takimit me Zelensky se Shtetet e Bashkuara kanë “shumë Tomahawk që potencialisht mund t’i jepen Ukrainës”.
Megjithatë, zyrtarët amerikanë pranojnë se ekzistojnë sfida operative. Këto sfida përfshijnë nevojën për stërvitjen e forcave ukrainase për përdorimin efektiv të raketave dhe mënyrën praktike të lëshimit të tyre. Zakonisht, raketat Tomahawk lëshohen nga anije luftarake ose nëndetëse. Duke qenë se marina ukrainase ka pësuar humbje të konsiderueshme, duket se do të jetë e nevojshme përdorimi i lëshuesve me bazë tokësore, të ngjashëm me ata që janë zhvilluar nga Marina dhe Ushtria Amerikane.
Edhe pa pasur lëshues të tillë, zyrtarët evropianë shprehin besimin se Ukraina mund të gjejë zgjidhje teknike. Një prej tyre kujtoi se inxhinierët ukrainas kanë demonstruar aftësi të jashtëzakonshme duke përshtatur raketat britanike Storm Shadow për t’u lëshuar nga avionë luftarakë sovjetikë të vjetër, pavarësisht se këto raketa ishin projektuar për avionë modernë të NATO-s.
