Mër. Dhj 12th, 2018

Përballja Shqipëri-Izrael, Berisha: Angazhim maksimal për fitore

TIRANË, 12 tetor. – Portieri Etrit Berisha dhe sulmuesi Eros Grezda dolën sot përpara medieve në vigjilje të ndeshjes zyrtare eliminatore të së djelës në Ber Sheva me Izraelin. Sipas futbollistëve, angazhimi është maksimal për të marrë fitoren të djelën në mbrëmje. Portieri Berisha për këtë takim theksoi: “Një ndeshje e cila është vlerësuar maksimalisht nga ana jonë. Tashmë jemi me pikë të barabarta të tre skuadrat në grup. Klima në ekip është shumë e mirë dhe të gjithë bashkë do shkojmë për të marrë fitoren. Mundësitë ekzistojnë për të dalë me rezultat pozitiv pasnesër. Nisur edhe nga humbja dje e Skocisë, nëse marrim rezultat pozitiv të djelën në Izrael, atëherë transferta që humbëm në Skoci pak do të vlejë. Tentojmë fitoren, por të them të drejtën, edhe barazimi nuk do të ishte i keq”, – u shpreh Berisha.

Ndërkaq, Grezda ka besim maksimal që skuadra do të reagojë në mënyrën më të fortë të mundshme në djelën në mbrëmje, për të marrë fitoren: “Jemi në një moment, ku fitorja do të ishte një shtysë shumë e madhe, për ekipin. Kemi punuar dhe do të vijojmë të punojmë shumë në seancat e ardhshme për të arritur objektivin tonë. Kam besim që mund t’ia dalim, edhe pse kundërshtari ka pikat e tij e të forta, me të cilat na vuri në vështirësi edhe në takimin e parë në Elbasan. Mendoj që jemi tri skuadra shumë afër njëra-tjetrës, në një kohë që edhe Izraeli ka pika të forta dhe kërkon shumë përqendrim e angazhim. Nga fitorja në Turqi mungojnë vetëm Sadiku e Roshi. Të tjerët janë po ata. Por e them me bindje që, nëse përsërisim ndeshjen e Turqisë, nuk na ndal dot as Izraeli e as Skocia”.

Ekipi kombëtar do të vijojë stërvitjen e tij sot pasdite (me dyer të mbyllura), teksa edhe nesër paradite, përpara nisjes do të realizojë seancën e fundit. Skuadrës, siç edhe është raportuar më parë i janë larguar Veseli e Ramadani, dhe në vend të tyre, trajneri ka grumbulluar Ivan Balliun dhe Sabien Lilajn. Ndeshja do të luhet ditën e dielë në orën 20:45 në Ber Sheva dhe do të gjykohet nga arbitri italian Paolo Mazzoleni.

/e.caushi/

Kategori