Die. Dhj 16th, 2018

Përfundojnë procedurat për rikthimin në atdhe të eshtrave të Mid’hat Frashërit

TIRANË, 10 nëntor. Në 14 nëntor, eshtrat e Mid’hat Frashërit, një prej politikanëve dhe njerëzve më të shquar të letrave shqipe, do të prehen pranë familjarëve të tij në Shqipëri.

Përfaqësuesja e diplomacisë shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ambasadorja Floreta Luli-Faber, tregon mbi procedurat e ndjekura në bashkëpunim me Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme dhe zyrën e Kryeministrisë, për të përmbushur nismën e ndërmarrë nga qeveria shqiptare dhe për të çuar në vend amanetin e fundit të Mid’hat Frashërit.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ambasadorja thekson se “pas një pritjeje të gjatë, amaneti i tij do të shkojë ne vend: do të varroset në Shqipëri”.

Qeveria shqiptare vendosi në 31 korrik të këtij viti kthimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit në atdhe.

“Prej 3 muajsh kemi punuar intensivisht dhe me orë tepër të gjata për t’iu përgjigjur në kohë vendimit të qeverisë shqiptare, që eshtrat e Mid’hat Frashërit të prehen në tokën shqiptare gjatë javës përkujtimore të 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit. Vendimi për kthimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit është në një mënyrë shprehje e unitetit kombëtar. Roli i tij në Kongresin e Manastirit do jetë vendimtar në hartimin e historisë së rishikuar të Shqipërisë që do t’i japë atij vendin e merituar”, tha ambasadorja shqiptare në USA./m.m/

Kategori