Tenderat: 13 operatorë u përjashtuan nga kontratat publike në vitin 2025 për paraqitje të dhënash të rreme
Agjencia e Prokurimit Publik (APP) raportoi se gjatë vitit 2025 janë shqyrtuar 42 kërkesa për përjashtimin e operatorëve ekonomikë nga e drejta për të fituar kontrata publike. Nga këto, 41 raste ishin në procedura prokurimi publik dhe një rast në ankand publik.
Pas shqyrtimit të kërkesave, procedimi administrativ ka nisur për 20 operatorë ekonomikë, ndërsa 22 kërkesa rezultuan të paplota ose nuk plotësuan kushtet ligjore për nisjen e procedimit.
Pas vlerësimit të të dhënave, APP mori në vitin 2025 vendime përjashtimi për 13 operatorë ekonomikë, duke u hequr atyre të drejtën për të fituar kontrata publike. Një operator përfundoi procedimin administrativ pa vendim, pesë operatorë u pezulluan dhe një procedim administrativ vijon ende.
Në raport, APP ka bërë edhe një ndarje të arsyeve kryesore për përjashtimin e operatorëve:
- Shumica, 10 operatorë, u përjashtuan për keqinformim dhe paraqitje të dokumenteve me të dhëna të rreme.
- Tre operatorë u rikthyen në procesin e përjashtimit pas vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se disa raste mbeten në proces shqyrtimi ose pezullim për shkak të mungesës së dokumentacionit të plotë ose verifikimeve ligjore të nevojshme.
Tërheqja e operatorëve nga kontratat
APP ka analizuar edhe rastet kur operatorët janë tërhequr nga nënshkrimi i kontratave. Nëse kjo ndodh më shumë se 5 herë nga një operator, ajo përbën kusht për përjashtim.
“Nga raportimet e administruara gjatë këtij viti nga autoritetet kontraktore, rezulton se janë tërhequr nga nënshkrimi i kontratës 16 operatorë ekonomikë. Nga operatorët ekonomikë raportuar pranë APP, nuk rezulton që asnjëri prej tyre të jetë tërhequr mbi pesë herë nga nënshkrimi i kontratës në procedura të ndryshme prokurimi, të zhvilluara nga një ose disa autoritete/ente kontraktore.
Sipas raportimeve, i njëjti operator ekonomik është tërhequr dy herë nga nënshkrimi i kontratës, ndërkohë që, operatorët e tjerë ekonomikë raportuar rezultojnë të jenë tërhequr vetëm një herë nga nënshkrimi i kontratës në procedurat e prokurimit të zhvilluara gjatë vitit 2025.”
