Përmbytje dhe rrëshqitje toke në Ekuador, të paktën 9 persona humbin jetën
Të paktën nëntë persona kanë humbur jetën dhe nëntë të tjerë rezultojnë të zhdukur pas përmbytjeve shkatërruese që goditën provincën Zamora Chinchipe, në jug të Ekuadorit, gjatë ditëve të fundit.
Sipas autoriteteve, mes personave të zhdukur ndodhet edhe guvernatori i provincës, së bashku me dy zyrtarë të tjerë. Ata po merrnin pjesë në një operacion për evakuimin e banorëve nga zonat e prekura.
Situata më e rëndë është regjistruar në qytetin Guadalupe, ku një rrëshqitje masive dheu ka shkaktuar dëme të konsiderueshme. Bilanci paraprak flet për të paktën 38 të plagosur dhe rreth 50 banesa të dëmtuara.
Autoritetet lokale bëjnë të ditur se, pas ndërhyrjeve emergjente, është rikthyer furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm në zonat e prekura. Ndërkohë, ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë operacionet për gjetjen e personave të zhdukur dhe vlerësimin e plotë të dëmeve.
