Përmbytje në Kosovë: Junik e Malishevë shpallin gjendje të jashtëzakonshme

Edhe Kosova nën pushtetin e ujit, dy komuna shpallin gjendjen e jashtëzakonshme

Situata me përmbytjet në Kosovë vijon të mbetet e rëndë edhe sot, ndërkohë që dy komuna, Juniku dhe Malisheva, kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.

Rajonet më të prekura vazhdojnë të jenë Fushë Kosova, Drenasi, Malisheva, Rahoveci, Klina, Mitrovica, Vushtrria, Skenderaj dhe Gjakova. Këto zona kanë raportuar vërshime në oborre, bodrume dhe rrugë të caktuara. Në Gjakovë është kërkuar edhe evakuimi i mbi 20 familjeve, në koordinim me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Në komunat e tjera, gjendja vlerësohet relativisht e qetë dhe stabile, por mbahet nën monitorim të vazhdueshëm nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent përmes sistemit të komunikimit emergjent.

Si pasojë e situatës dhe për arsye sigurie, është shtyrë edhe procesi i fillimit të mësimit, i cili tashmë do të nisë më 12 janar.

Lidhur me situatën e krijuar me vërshime, të martën kanë reaguar përfaqësues shtetërorë dhe ata të partive të cilat deri tash ishin në opozitë.

Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur mirënjohje për të gjitha institucionet dhe qytetarët që, përballë reshjeve të dendura dhe vërshimeve, po reagojnë me përgjegjësi, profesionalizëm dhe solidaritet në mbrojtjen e jetës dhe pronës.

“Sot gjatë ditës kam qenë në komunikim me kryetarët e komunave të prekura, të cilët po udhëheqin menaxhimin e situatës në terren në koordinim të ngushtë dhe me mbështetjen e institucioneve qendrore”, ka deklaruar ajo.

Scroll to Top