Reshje intensive shiu gjatë natës, përmbytet lagja “Besëlidhja” në Lezhë
Ashtu siç ishte parashikuar, reshjet e dendura të shiut gjatë natës së kaluar kanë shkaktuar probleme serioze për banorët e lagjes “Besëlidhja” në Lezhë. E gjithë zona është përmbytur nga uji, duke vështirësuar lëvizjen për qindra qytetarë, të cilët janë përballur me ujë në hyrjet e banesave të tyre.
Nga ana e Bashkisë Lezhë bëhet e ditur se situata do të zgjidhet vetëm pas përfundimit të projektit aktual për trajtimin e ujërave të bardha dhe të zeza në këtë lagje. Ky investim, sipas tyre, do të eliminojë përmbytjet e përsëritura.
Sipas sinoptikanëve, reshje të ngjashme dhe situata problematike pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
