Përmbytjet shkaktojnë katastrofë në Azinë Jugore, rreth 600 viktima përgjatë javës së fundit
Reshjet e rrëmbyeshme, që kanë zgjatur për një javë, kanë shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje masive të dheut në disa pjesë të Azisë Jugore, duke lënë të vdekur rreth 600 persona.
Këto reshje ciklonike, të përkeqësuara nga stuhitë tropikale, kanë shkaktuar disa nga përmbytjet më të rënda të rajonit në vite. Miliona njerëz janë prekur në Indonezi, Malajzi, Tajlandë dhe Sri Lanka.
Reshjet e dendura të shiut filluan të mërkurën në ishullin indonezian të Sumatrës. Një banor i qytetit Bireuen në provincën Aceh të Sumatrës, duke folur për agjencinë e lajmeve Reuters, tha: “Gjatë përmbytjes, gjithçka u zhduk.”
Me qindra persona që ende rezultojnë të zhdukur, pritet që numri i viktimave të rritet. Mijëra njerëz mbeten të bllokuar, disa prej të cilëve presin shpëtim në çatitë e shtëpive të tyre.
Deri të shtunën, më shumë se 300 persona kishin humbur jetën në Indonezi dhe 160 në Tajlandë. Gjithashtu janë raportuar edhe disa vdekje në Malajzi.
Në Sri Lanka, e cila është goditur nga reshje të rrëmbyeshme dhe një ciklon, më shumë se 130 persona kanë vdekur dhe rreth 170 të tjerë janë të zhdukur, sipas zyrtarëve.
Një ciklon tropikal jashtëzakonisht i rrallë, i quajtur Senyar, ka shkaktuar rrëshqitje katastrofike të dheut dhe përmbytje, duke rrëmbyer shtëpi dhe duke zhytur mijëra ndërtesa në ujë.
Agjencia e fatkeqësive natyrore e Indonezisë njoftoi të shtunën se gati 300 persona rezultojnë ende të zhdukur pas përmbytjeve që shkatërruan Sumatrën. Moti i keq ka penguar operacionet e shpëtimit. Ndërsa dhjetëra mijëra njerëz janë evakuuar, qindra të tjerë janë ende të bllokuar, tha agjencia indoneziane e fatkeqësive.
