Die. Sht 23rd, 2018

Përplasje mes Mbappe dhe Deschamps? Trajneri zbulon çfarë i tha 19-vjeçarit

Kylian Mbappe, futbollisti 19-vjeçar i Francës që po mahnit këtë Botëror, ndonëse nuk shënoi kundër Uruguait ishte gjithsesi protagonist i takimit.

Adoleshenti në pjesën e dytë pas një simulimi u përplas ashpër me futbollistët kundërshtarë. Ky moment bëri që trajneri Deschamps të lëvizte nga vendi dhe t’i jepte disa urdhëra talentit 19-vjeçar.

Në një intervistë për “Telefoot” trajneri i “gjelave” zbuloi se çfarë i tha Mbappe-s, pasi fjalët e tij ishin interpretuar si krisje me futbollistin.

“I thashë ‘Kylian, Kylian, më dëgjo! Boll bërë budallallëqe. Shiko, mbaroi. Nuk e meriton, por mos bëj më gjëra të tilla”, shpjegoi fillimisht Deshamps.

“Unë jam trajneri i tij dhe i dua të mirën. Ai meriton admirim për atë që bën, por kur ka ndonjë gjë që nuk më kënaq… E bëj këtë për të mirën e tij. Këtë ia thashë. Nuk kisha qejf që ta humbja për ndeshjen tjetër”, tha trajneri. Edhe vetë Mbappe pranoi se ishte nervozuar në atë sfidë, duke ia vënë fajin gjyqtarit Nestor Pitana.

“Nuk kisha qejf të simuloja dhe e kuptoj reagimin e futbollistit uruguaian. Ajo që nuk pranoj është sjellja e arbitrit. Gjatë gjithë ndeshjes, ai nuk pushonte së foluri me mua. ‘boll kështu, boll ashtu’. Mendoj se kisha diçka kundër meje. Nuk i dhashë shumë vëmendje. Më pas më dha të verdhë pasi mora një goditje. Por më e rëndësishmja ishte që fituam. Edhe gjyqtarin e harrova”, tha Mbappe.

(InfoPasqyra/BW)

Kategori