Peru ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Meksikën pas azilit politik të dhënë ish-kryeministres
Peru ka njoftuar zyrtarisht ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Meksikën. Vendimi vjen si pasojë e dhënies së azilit politik nga qeveria meksikane ish-kryeministres peruane Betsy Chávez, e cila aktualisht përballet me akuza lidhur me një përpjekje për grusht shteti të ndodhur në vitin 2022.
Ministri i Jashtëm i Perusë, Hugo de Zela, u shpreh se ka ndjerë “habinë dhe keqardhjen e thellë” kur mësoi se Chávez i ishte dhënë azil në ambasadën e Meksikës në Lima. “Duke pasur parasysh këtë veprim jo miqësor… qeveria e Perusë ka vendosur të ndërpresë sot marrëdhëniet diplomatike me Meksikën,” deklaroi De Zela.
Në përgjigje, Ministria e Jashtme e Meksikës e cilësoi këtë vendim “të tepruar dhe të pajustifikuar”, duke e refuzuar si një veprim të njëanshëm.
Ish-kryeministrja Betsy Chavez u arrestua në qershor 2023 për rolin e saj të dyshuar në planin e ish-presidentit Pedro Castillo për të shpërndarë Kongresin dhe për të marrë kontrollin e pushtetit. Ajo u lirua me kusht në shtator dhe ka mohuar akuzat kundër saj.
Qeveria peruane ka akuzuar gjithashtu Meksikën për “ndërhyrje të përsëritura në punët e brendshme” të vendit. Sipas tyre, presidentët aktualë dhe të mëparshëm meksikanë kanë tentuar të ushtrojnë ndikim politik mbi zhvillimet e brendshme të Perusë. “E vërteta është se ata janë përpjekur t’i paraqesin organizatorët e përpjekjes për grusht shteti si viktima, ndërsa në realitet, qytetarët peruanë dëshirojnë të jetojnë në demokraci, siç e pranojnë të gjitha vendet e botës, me përjashtim të vetëm të Meksikës,” shtoi De Zela.
Prokurorët kanë kërkuar një dënim me 25 vjet burg për Chavez, për rolin e saj të dyshuar në përpjekjen për grusht shteti të Castillos. Pedro Castillo u arrestua në dhjetor 2022, pasi u përpoq të shpërndante Kongresin dhe të instalonte një qeveri emergjente, veprim që çoi në akuza për rebelim dhe përpjekje për uzurpim të pushtetit.
