Presidentja e Perusë, Dina Boluarte, është shkarkuar nga detyra pas kërkesës së partive politike, të cilat synonin rrëzimin e saj nga posti. Ky vendim vjen pas një hetimi të gjatë ndaj Boluarte për akuza të ndryshme, përfshirë ryshfet dhe përgjegjësinë për vdekjen e protestuesve në vitin 2022.
Presidentja Boluarte ka mohuar të gjitha akuzat dhe nuk mori pjesë në votimin për shkarkimin e saj. Kongresi miratoi shkarkimin, duke argumentuar se Boluarte ka pasur “paaftësi morale” për t’u përballur me krimin e organizuar.
Me shkarkimin e saj, presidenti i Kongresit, José Jerí Oré, do të marrë detyrën e presidentit të përkohshëm.
Dina Boluarte u bë presidentja e parë femër e Perusë në vitin 2022, pas arrestimit të paraardhësit të saj, Pedro Castillo. Akuzat më serioze kundër saj lidhen me vdekjen e mbi 60 personave gjatë shtypjes së protestave pas rrëzimit të Castillos. Ajo akuzohet gjithashtu për marrjen e orëve Rolex dhe bizhuterive si ryshfet, si dhe për braktisje të detyrës në vitin 2023 për t’iu nënshtruar një operacioni plastik në hundë, pa njoftuar Kongresin ose deleguar kompetencat e saj.
Boluarte ka insistuar se operacioni ishte “thelbësor” për shëndetin e saj, ndërsa kirurgu ka thënë se bëhej fjalë për procedura kozmetike.