VIDEO/ “Më jep numrin tënd të telefonit!” – Pešić i lumtur pas fitores së Bayern në Milano, batuta me gazetaren italiane: Do t’u them njerëzve të klubit…
“Bayern Munich Basketball” ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm që kur drejtimin teknik e mori Svetislav Pešić. Megjithëse ishte e pamundur të kapte fazën e “play-off”-it, skuadra e mbyll sezonin e rregullt me një përshtypje pozitive dhe e gatshme për të synuar titullin në kampionatin gjerman. Këtë e dëshmoi duke fituar edhe në Milano ndaj Olimpia Milano me rezultatin 94-84.
Trajneri 76-vjeçar ishte në humor shumë të mirë pas paraqitjes së ekipit të tij dhe fitores, gjë që nuk e fshehu në deklaratat e tij gjatë intervistës zakonore “flash” të EuroLeague, dhënë për gazetaren italiane të Sky Sports, Gaia Accoto. Pasi lavdëroi lojtarët e tij për fitoren në transfertë, ai nisi ta pyesë Accoto nëse e njeh Bundesligën dhe nëse e ndjek atë, pasi tani Bayern do të përqendrohet aty. Më poshtë dialogu me trajnerin me përvojë serbe, i cili madje i kërkon edhe numrin e telefonit.
Biseda mes Pešić dhe Accoto:
- Pešić: Tani kemi Bundesligën. Nuk e njeh Bundesligën, nuk e ndjek?
- Gazetarja: Përpiqem të ndjek gjithçka, por dita, trajner, siç e dini, ka 24 orë.
- Pešić: Gjermania, siç e dini, është kampione bote dhe Evrope.
- Gazetarja: E di, e di, kam qenë aty kur fitoi. Ndjek gjithçka, siç ju thashë.
- Pešić: Atëherë të ftoj në play-off, në ndeshjet tona.
- Gazetarja: Vërtet? Atëherë do të jem aty.
- Pešić: Më jep numrin tënd dhe do t’u them njerëzve të klubit ta organizojnë, nëse do të shohësh një ndeshje të Bundesligës.
- Gazetarja: Ju jeni një legjendë, më ftoni, sigurisht që do të jem aty.
- Pešić: Të gjithë flasin për kampionatin spanjoll, italian, turk, por askush për kampionatin e kampionëve të botës dhe Evropës.
- Gazetarja: Po ju them të vërtetën, para ndeshjes me një koleg timin po flisnim për punën që bëni me lojtarët e rinj.
Kush është gazetarja italiane e Sky Sports, Gaia Accoto
Gaia Accoto është një nga gazetaret më të njohura italiane që merret me basketboll dhe është komentatore e ndeshjeve të EuroLeague për llogari të Sky Sport Italia. Gazetarja 33-vjeçare, disa vite më parë, është marrë në mënyrë aktive me volejbollin, përpara se të ndiqte rrugën e medias. Në karrierën e saj si volejbolliste ka luajtur për ekipet e Varese dhe Salento. Aktualisht, ajo është gazetare, prezantuese dhe krijuese përmbajtjeje për Sky Sport Italia, me fokus te basketbolli i EuroLeague dhe LBA. Ka eksperiencë në menaxhimin e rrjeteve sociale, krijimin e përmbajtjes dhe flet rrjedhshëm anglisht. Madje, gjatë verës është e pranishme në Summer League të NBA dhe bashkëpunon me ligën më të famshme të basketbollit në botë. Nga viti 2021 deri në 2024 ka qenë pjesë e Inter, ku ka punuar si prezantuese dhe krijuese përmbajtjeje në kanalin e klubit në YouTube.
