Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar para gjykatës pesë persona: F.Ç., A.V., E.Xh., A.S. dhe A.L. Ata akuzohen për veprat penale të ‘Mashtrimit kompjuterik’ dhe ‘Shkeljes së të drejtave të pronësisë industriale’.
Hetimet, të cilat nisën pas një kallëzimi nga shoqëria Digitalb, kanë zbuluar se këta individë, përmes shoqërive të tyre, shisnin paketa televizive nëpërmjet piraterisë. Kjo veprimtari cënonte interesat e ligjshëm të kompanive televizive prodhuese dhe pronareve të të drejtave.
Nëpërmjet veprimeve simuluese të blerjeve, ku u reklamuan dhe shitën pajisje dekoderi dhe paketa televizive me çmime që varionin nga 3500 deri në 10.000 lekë, u krijuan dyshime të arsyeshme se këta persona kanë kryer veprat penale të parashikuara nga Kodit Penal.
Në detaje, hetimet kanë treguar se personat nën hetim ofronin paketa me çmime të ndryshme, duke përdorur aplikacione komunikimi dhe postat private. Në listën e kanaleve të siguruara përfshiheshin emra të njohur televizivë shqiptarë dhe të huaj, si dhe platforma si Digitalb, Tring, Sky.
Subjekte të ndryshme, si ‘Elektronikashop.al’ dhe ‘Kanale.al’, vepronin në rrjetet sociale duke shitur paketa dhe pajisje dekoderi, të cilat dorëzoheshin nëpërmjet korrierëve.
Në përfundim, Prokuroria ka konstatuar se shtetasit F.Ç., A.V., E.Xh., A.S. dhe A.L. përmbushin elementët e veprave penale të parashikuara nga Kodit Penal dhe janë dërguar në gjyq për mashtrim kompjuterik dhe shkelje të të drejtave të pronësisë industriale.