Piro Misha lirohet nga detyra si drejtor i Bibliotekës Kombëtare
Piro Misha nuk do të vijojë më detyrën e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare. Vendimi për lirimin e tij nga posti është marrë sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.
Piro Misha ishte emëruar në këtë detyrë në vitin 2019 nga qeveria e drejtuar nga Edi Rama, duke zëvendësuar në atë kohë Persida Asllanin.
Mbetet ende për t’u parë se cili do të jetë pasuesi i tij në drejtimin e Bibliotekës Kombëtare.
Vendimi zyrtar për lirimin nga detyra është bazuar në nenin 100 të Kushtetutës dhe nenin 27 të ligjit nr. 8576, datë 3.2.2000, “Për bibliotekat në Republikën e Shqipërisë”. Vendimi, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, parashikon:
- Zoti Piro Misha, drejtor i Bibliotekës Kombëtare, lirohet nga kjo detyrë.
- Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit ngarkohet për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe do të botohet në “Fletoren Zyrtare”.
KRYEMINISTËR
EDI RAMA
