Pjesëmarrje Rekord e Ulët në Zgjedhjet Vendore: 18.45%

Pjesëmarrja skandaloze në zgjedhjet e 5 bashkive, më e ulëta në histori

Data 9 nëntor shënon pjesëmarrjen më të ulët të regjistruar ndonjëherë në një proces zgjedhor në Shqipëri. Nga 334.539 qytetarë me të drejtë vote në pesë bashkitë ku u zhvilluan zgjedhjet e pjesshme vendore, vetëm 46.696 votuan, ose rreth 18.45% e trupës elektorale.

Rekordin negativ e mbajti Vlora, me vetëm 12.54% pjesëmarrje, e ndjekur nga Berati me 19.98%, Cërriku me 25%, Tepelena me 34.63% dhe Mati, që ishte bashkia më aktive, me 39.36%. Në këto zgjedhje garuan 13 kandidatë për pesë bashki. Qendrat e votimit u hapën në orën 07:00 dhe u mbyllën në 18:00, duke përmbyllur një proces që, në shifra, tregoi një mungesë të thellë besimi për kandidatët.

Rënia e pjesëmarrjes duket se është shenjë e konsumimit të sistemit politik dhe e lodhjes së qytetarëve nga rituali i përsëritur i një gare pa garë.

Socialistët hynë në këto zgjedhje me një vetëbesim të plotë, të bindur se fitorja ishte e garantuar. Për këtë arsye, ata u angazhuan minimalisht, pa fushatë reale dhe pa ndonjë përpjekje për të zgjuar interesin e elektoratit.

Opozita, nga ana tjetër, shmangu bojkotin formal, por mbajti një qëndrim ambigu duke mbështetur kandidatë të pavarur, si një mënyrë për t’u përfaqësuar në fletën e votimit. Kjo strategji u pasua me një mungesë të theksuar motivimi, ndërkohë që në terren nuk u zhvillua një fushatë reale. Nga njëra anë, votuesit opozitarë nuk donin të mbështesnin një proces që e konsiderojnë farsë, por as nuk kishin një alternativë reale për t’u përfaqësuar.

Pjesëmarrja e ulët e votuesve duket se do të ndikojë drejtpërdrejt në legjitimitetin e kryetarëve të bashkive që do të qeverisin, do të firmosin buxhete dhe projekte, por askush nuk mund të thotë me bindje se përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve.

Për pasojë, më shumë se për emrat fitues të bashkive, zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit do të mbahen mend si dëshmi e një shoqërie që ka humbur besimin se vota ka fuqinë të bëjë ndryshimin. (Burimi: Lapsi.al)

Kandidatët për pesë bashkitë:

  • Bashkia Vlorë
    • Brunilda Mersini (PS)
    • Dionis Sota (i pavarur, mbështetur nga PD)
    • Gjergji Nika (i pavarur)
  • Bashkia Berat
    • Ervin Ceca (PS)
    • Pavlo Shkarpa (i pavarur, mbështetur nga PD)
  • Bashkia Tepelenë
    • Gabriel Guma (i pavarur, mbështetur nga PD)
    • Gramoz Sako (PS)
  • Bashkia Mat
    • Altin Bojni (PS)
    • Eduard Brahilika (i pavarur, mbështetur nga PD)
    • Suzana Pasha (e pavarur)
  • Bashkia Cërrik
    • Florenc Doka (PS)
    • Eligert Hima (Shqipëria Bëhet)
    • Amarildo Hoxha (i pavarur, mbështetur nga PD)
Scroll to Top