Analizë: A do të funksionojë plani 12-pikësh i BE-së për Ukrainën?
Me samitin e propozuar mes presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij rus Vladimir Putin, që duket se është shtyrë, shtetet evropiane po tentojnë sërish të marrin një rol aktiv në zgjidhjen e mundshme të luftës në Ukrainë. Një nga përpjekjet e fundit është një plan 12-pikësh, të cilin Radio Evropa e Lirë e ka parë dhe që është iniciuar nga Finlanda. Ky plan ka qarkulluar në kryeqytetet evropiane javët e fundit.
Dokumenti nuk është një marrëveshje e gatshme paqeje, gjë që bëhet e qartë përmes titullit provizor: “Elementet për paqe në Ukrainë”. Ky plan nuk është diskutuar në nivelet më të larta të BE-së dhe nuk është mbështetur zyrtarisht nga asnjë shtet. Përkundrazi, është diçka që është punuar në Koalicionin e Vullnetit – një grup prej më shumë se 20 shtetesh që e mbështesin Ukrainën – që nga pranvera.
Dymbëdhjetë pikat janë strukturuar në dy faza: e para “armëpushimi” dhe e dyta “negociatat”. Qasja “fillimisht armëpushim” është diçka që shumica e shteteve evropiane kanë kërkuar që kur administrata Trump nisi të bisedonte me Kremlinin.
Faza e parë
Në dokument thuhet se një armëpushim i tillë “do të fillojë 24 orë pasi palët ta kenë pranuar këtë plan” dhe se një linjë kontakti “do të ngrihet në momentin që nis armëpushimi”. Duke pranuar rolin udhëheqës të SHBA-së në bisedime, plani po ashtu sugjeron që monitorimi i armëpushimi të nisë “menjëherë nën udhëheqjen amerikane, duke përdorur satelitë, dronë dhe mjete të tjera të teknologjisë”.
Po ashtu, gjatë fazës së armëpushimit, plani është që Ukraina dhe Rusia të pajtohen për një pakt “kundër agresionit”, që do të thotë se përderisa Moska do të ndalojë sulmet ndaj Ukrainës, Kievi po ashtu duhet të përmbahet nga përpjekjet për të rimarrë territoret nën kontrollin rus në rajonet ukrainase si Krimea, Donbasi, Hersoni dhe Zaporizhja përmes mjeteve ushtarake.
Sa i përket centralit bërthamor që gjendet në Zaporizhja, është propozuar ideja që ai të transferohet nga kontrolli rus në një palë të tretë, të paidentifikuar, dhe të nisin negociatat për ta kthyer sërish nën kontrollin e Ukrainës.
Sipas planit do të ketë edhe “masa për ndërtimin e besimit”, që parashohin “që sanksione të caktuara dhe simbolike të hiqen pasi armëpushimi të ketë zgjatur për një numër të caktuar ditësh”. Një tjetër ide është që Rusia do të mirëpritet sërish në organizata ndërkombëtare, siç mund të nënkuptohet Këshilli i Evropës dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar.
Gjithashtu, propozohet që gjatë fazës së armëpushimit të krijohet një “Bord i Paqes”, që do të kryesohet nga Trumpi, për të mbikëqyrur zbatimin e një plani eventual të paqes.
Faza e dytë
Faza e dytë – negociatat – fillimisht përfshijnë një armëpushim. Në tekst thuhet se “negociatat do të nisin për një vijë finale të kontaktit, e cila do të mbetet në fuqi derisa palët të pajtohen për qeverisjen e përhershme të territoreve të pushtuara”. Kjo fazë përfshin edhe krijimin e zonave të sigurisë rreth vijës së kontaktit, ku nuk do të lejohen aktivitete ushtarake, si dhe monitorimin nga një mision civil shumëkombësh.
Garancitë e sigurisë janë në pikën e 8-të, megjithëse nuk jepen detaje.
Pika e 9-të ka të bëjë me një dialog të nivelit të lartë mes Kievit dhe Moskës për të “rritur mirëkuptimin e ndërsjellë dhe respektin për diversitetin gjuhësor, kulturor dhe fetar”. Zyrtarët nga shtetet lindore të BE-së besojnë se kjo pikë forcon pretendimet ruse për diskriminim të rusishtfolësve.
Pika pasuese është po ashtu e debatueshme pasi përmend “nisjen e negociatave për qeverisjen e përhershme të territoreve të pushtuara”, gjë që bie ndesh me qëndrimet e shumë kryeqendrave të BE-së, sipas të cilave Ukraina nuk duhet të heqë dorë nga asnjë centimetër territor.
Pika e parafundit e planit lidhet me rindërtimin dhe parashikon krijimin e një fondi për Ukrainën, ku mund të përdoren asetet e ngrira ruse.
Në fund, dokumenti përmend heqjen graduale të sanksioneve ndaj Rusisë, në përputhje me zbatimin e planit. Ukraina dhe Rusia do të nisin një proces për t’u pajtuar mbi kompensimin e dëmeve të luftës, me asetet e ngrira ruse që mund të kthehen sapo të arrihet një marrëveshje. Plani përfshin edhe një mekanizëm që do të rikthente automatikisht të gjitha sanksionet në rast se Ukraina sulmohet sërish.
Sa gjasa ka ky plan të funksionojë?
“Ndoshta jo shumë”, pranon një zyrtar evropian që foli në kushte anonimiteti. Dhe ndonëse disa nga ta ende mendojnë se SHBA-ja mund të jetë e interesuar për disa aspekte të propozimeve, pak kush beson se Rusia do të pajtohet. Siç u shpreh një diplomat evropian: “Mund të kemi një plan me 12 pika, por nuk do të ketë paqe – ky është plani njëpikësh i Putinit”.
