Turqia dhe Katari kanë propozuar një plan për çarmatosjen e Hamasit, por Izraeli ka reaguar duke refuzuar disa nga pikat kryesore.
Sipas burimeve izraelite, dy vendet kanë paraqitur një propozim për kufizimin e organizatës rebele Hamas në Rripin e Gazës. Ky plan parasheh transferimin e armëve të Hamasit ose te një Autoritet Palestinez i cili do të administrojë Gazën, ose ruajtjen e tyre nën mbikëqyrje ndërkombëtare.
Megjithatë, Izraeli kundërshton afatin dyvjeçar të kërkuar nga Katari dhe Turqia për çarmatosjen, duke insistuar për një periudhë shumë më të shkurtër, vetëm disa muaj. Po ashtu, Tel Avivi kundërshton pjesëmarrjen e forcave turke në një forcë ndërkombëtare stabilizimi në Gazë.
Burimet izraelite bëjnë me dije se Izraeli po shqyrton mundësinë e krijimit të një “modeli politik pa Hamasin” në Rafah. Vlerësimet e shërbimit izraelit të inteligjencës tregojnë se 75% e banorëve të Gazës nuk e mbështesin më Hamasin. Megjithatë, paralajmërohet se organizata po rindërton forcat e saj dhe synon të rifitojë kontrollin e plotë mbi Rripin e Gazës, duke shfrytëzuar boshllëkun e sigurisë që krijon armëpushimi i brishtë.
Funksionarët izraelitë theksojnë nevojën për një plan operativ të pavarur për çarmatosjen, i cili të mos mbështetet në iniciativa amerikane ose ndërkombëtare që mund të konsiderohen “të buta” ndaj Hamasit.
Ditën e shtunë, lideri i Hamasit në Gazë, Khalil al-Hiyah, deklaroi se organizata është e gatshme të dorëzojë armët e saj në “shtetin” që do të udhëheqë zonën në të ardhmen, me kushtin që të përfundojë “pushtimi” izraelit. Ai shtoi se “armët e Hamasit janë të lidhura me ekzistencën e pushtimit dhe agresionit; nëse ky përfundon, armët do t’i kalojnë shtetit”. Zyra e tij sqaroi se ai e kishte fjalën për “një shtet të ardhshëm dhe të pavarur palestinez”, sipas AFP.
