Plani i Kushner për Rindërtimin e Gazës: 25 Miliardë $

Kosto 25 miliardë dollarë: Dhëndri i Trump prezanton planin për rindërtimin e Gazës

Një plan ambicioz për rindërtimin e Rripit të Gazës, të cilin vetë Donald Trump e ka përshkruar si një “copë toke shumë të bukur”, u prezantua nga Jared Kushner gjatë një aktiviteti të “Këshillit të Paqes” në Davos.

Projekti parashikon nisjen e rindërtimit nga pjesa jugore e territorit dhe kërkon investime që vlerësohen në të paktën 25 miliardë dollarë. Duke paraqitur vizionin e tij zhvillimor, Kushner theksoi se plani bazohet në sigurinë, çmilitarizimin e zonës përmes çarmatimit të Hamasit dhe në parimet e tregut të lirë.

Sipas tij, projekti shtrihet në katër faza dhe nis nga Rafahu, vazhdon në Khan Younis dhe përfundon në Qytetin e Gazës.

Sipas Kushner, planet zhvillimore të Këshillit të Paqes për Gazën përfshijnë:

  • Bashkëpunim me Hamasin për çmilitarizimin e zonës
  • Zvogëlimin e varësisë së Gazës nga ndihma e huaj
  • Ndarjen e territorit në zona “rezidenciale” dhe “turistike bregdetare”
  • Ndërtimin e 100 mijë banesave në Rafah, si edhe në të ashtuquajturën “Gaza e Re”

Gjatë fjalës së tij, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump prezantoi slajde që paraqisnin rindërtimin gradual të Rripit të Gazës, duke nisur nga jugu. Sipas Kushner, qyteti i Rafahut, i cili pësoi dëme të mëdha gjatë operacionit ushtarak izraelit kundër Hamasit, mund të rindërtohet brenda dy deri në tre vjet.

Kostoja totale e planit për të gjithë Gazën, sipas të dhënave të paraqitura, arrin në të paktën 25 miliardë dollarë, pa u sqaruar ende se kush do të marrë përsipër financimin e këtij projekti.

Scroll to Top