Platforma Fiskalizimit Funksionale, Tatimet Sqaron Procedura

Tatimet: Problemet me platformën e fiskalizimit janë zgjidhur, ajo është plotësisht funksionale

Administrata Tatimore informon se problematikat e konstatuara ditët e fundit në aksesimin e Platformës Qendrore të Lëshimit të Faturave të Fiskalizuara janë zgjidhur. Që prej pasdites së sotme, 28 janar, platforma është në shërbim të plotë dhe funksionon normalisht.

Megjithatë, për qëllime sqarimi dhe orientimi, si dhe duke marrë shkas nga vështirësitë e hasura së fundmi, Administrata Tatimore rikujton procedurat që tatimpaguesit duhet të ndjekin në rastet kur, për arsye objektive, hasin vështirësi në fiskalizimin e faturave. Kjo bëhet me synim garantimin e vijimësisë së aktivitetit dhe respektimin e detyrimeve ligjore.

Për këtë qëllim, të gjithë tatimpaguesit duhet të kenë parasysh sa vijon:

  • Tatimpaguesit që përdorin software për lëshimin e faturave: Rreth 139.000 tatimpagues, që përdorin software për lëshimin e faturave, duhet të vazhdojnë normalisht me lëshimin e faturave përmes tij, edhe në rastet kur konstatojnë se faturat nuk janë pajisur me kodin unik (NIVF). Në momentin që platforma rikthehet në shërbim të plotë, këta tatimpagues do të vazhdojnë me fiskalizimin e faturave të pafiskalizuara, duke u siguruar që për çdo faturë të lëshuar të gjenerohet kodi unik përkatës (NIVF).
  • Tatimpaguesit që nuk disponojnë software fiskalizimi: Rreth 3.000 tatimpagues, që nuk janë të pajisur me software, por përdorin Platformën Qendrore të Faturave për lëshimin e tyre, mund të pajisen me software që i përshtatet aktivitetit të tyre ose t’i drejtohen me kërkesë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse për t’u pajisur me bllokun e veçantë të faturave, në përputhje me parashikimet e nenit 30 të ligjit nr. 87/2019. Blloku i veçantë i faturave përdoret edhe në rast të një defekti apo ndërprerje të plotë të punës së zgjidhjes software-ike. Faturat e lëshuara me bllokun e veçantë duhet të raportohen pranë Administratës Tatimore, brenda afateve ligjore të përcaktuara.
  • Fiskalizimi i faturave në lidhje me zhdoganimin e mallrave: Në rastet e zhdoganimeve, afati ligjor për kryerjen e fiskalizimit është 7 ditë nga data e daljes së mallit në qarkullim të lirë. Në rast se ky afat tejkalohet si rrjedhojë e vështirësive që mund të krijohen gjatë aksesimit të Platformës Qendrore të Lëshimit të Faturave të Fiskalizuara, Drejtoritë Rajonale Tatimore do të marrin në konsideratë situatat specifike që kanë çuar në tejkalimin e afatit, rast pas rasti.

Administrata Tatimore fton tatimpaguesit të ndjekin me vëmendje udhëzimet e mësipërme, me qëllim respektimin e detyrimeve ligjore në fuqi.

Scroll to Top