Roma, përkundër pritjeve të mira për këtë sezon, ku dukej se do kthehej në një protagoniste kryesore në kampionatin italian, aktualisht përballet me polemika të forta brenda klubit. Nën drejtimin fillestar të Xhanpiero Gasperinit, skuadra po tregonte rezultate të mira dhe për një periudhë të gjatë mbajti vendin në katërshen e parë.
Megjithatë, rënia e rezultateve dhe largimi nga pozicionet kryesore kanë shkaktuar shpërthimin e debateve. “Lufta e ftohtë” mes trajnerit Gasperinit dhe këshilltarëve të pronarëve amerikanë të klubit është e dukshme për të gjithë.
Klaudio Ranieri, i emëruar në klub nga familja Fridkin dhe me një rol të fuqishëm, ka bërë deklarata të cilat theksojnë një krisje të plotë mes tij dhe Gasperinit. Përmendja e faktit se tre trajnerë të tjerë ishin refuzuar para emërimit të Gasperinit, si dhe krahasimi me sezonin e kaluar ku Roma ishte “shumë më afër Champions”, lënë të kuptohet se ajo që dukej si një bashkëpunim i suksesshëm, tani është kthyer në një armiqësi të hapur.
Gasperini, nga ana e tij, u ka shmangur deklaratave polemizuese pas fitores kundër Pizës. Megjithatë, sipas mediave italiane, kjo qetësi është ruajtur vetëm falë ndërhyrjes së Dan Fridkin. Pritet një takim mes palëve, por parashikimi kryesor është se në fundin e këtij sezoni, ose Ranieri ose Gasperini do të largohen nga klubi, pasi bashkëjetesa mes tyre duket e vështirë.
