Polic i Tiranës kapet me 1 milion euro të padeklaruara

Transportonte 1 milion euro nga Serbia, kapet polici i komisariatit Nr.5

Një shumë prej 1 milion eurosh, e fshehur në një hapësirë të improvizuar brenda një furgoni, është zbuluar nga zyrtarët e Doganës dhe policët kufitarë në Merdarë.

Janë zbardhur detaje rreth personave të dyshuar për futjen e 1 milion eurove të padeklaruara në Kosovë. Të dyshuarit janë Ahmet Kaziu, polic në Komisariatin numër 5 në Tiranë, Ardit Laska dhe Etnik Ahmaxhokaj.

Të tre janë ndaluar fillimisht për kontroll nga Dogana e Kosovës. Me anë të pajisjeve dixhitale me rreze X, janë shfaqur dyshime për mjete monetare të fshehura brenda furgonit.

Dogana e Kosovës ka njoftuar se më 24.02.2026, në pikën e kalimit kufitar në Merdarë, duke u bazuar në analizën e riskut dhe procedurat standarde, një automjet është selektuar për kontroll të detajuar në hyrje të territorit të Kosovës.

Automjeti është skanuar me rreze X, duke zbuluar indikacione për një hapësirë të dyshimtë të modifikuar në dyshemenë e tij.

“Pas këtyre indikacioneve, Dogana e Kosovës ka kërkuar asistencë nga zyrtarët e Policisë Kufitare, të cilët kanë ofruar mbështetje teknike përmes pajisjes fibroskopike. Gjatë kontrollit të përbashkët, dyshimet e ngritura nga skaneri janë konfirmuar me zbulimin e mjeteve monetare të padeklaruara, të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda automjetit”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.

Sipas vlerësimeve fillestare, shuma e mjeteve monetare dyshohet të jetë rreth 1 milion euro.

Dogana e Kosovës thekson se përdorimi i teknologjisë së avancuar të kontrollit, si skanerët X-Ray, mbetet një nga mjetet kyçe për zbulimin e rasteve të kontrabandës dhe parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme financiare.

Scroll to Top