Fuste drogë në burg, prokuroria e Elbasanit kërkon arrest me burg për policin
Prokuroria e Elbasanit ka kërkuar masën e arrestit me burg për një punonjës të Policisë së Burgjeve dhe dy persona të tjerë, të cilët akuzohen se kanë futur lëndë narkotike në burg kundrejt pagese.
Sipas informacioneve, punonjësi i policisë së burgjeve me iniciale N.K., i cili kryen shërbim në regjimin e brëndshëm pranë IEVP Elbasan, është përfshirë në futjen e lëndëve narkotike në këtë institucion.
Për të kamufluar aktivitetin e tij të kundraligjshëm, N.K. gjatë orëve jashtë shërbimit punon si shitës ambulant në qytetin e Elbasanit, duke shitur telefona të përdorur dhe sende të tjera me vlerë. Në vendin ku ushtron këtë aktivitet, ai merr porosi nga të afërmit e të paraburgosurve dhe i sjell ato në burgun e Elbasanit.
Punonjësi i policisë bashkëpunon me shtetasen E.M., e cila e paguan për të futur lëndë narkotike brenda burgut. Shumat e pagesës për efektin e policisë variojnë nga 100 deri në 200 mijë lekë të vjetra.
Njoftimi i Prokurorisë:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka kërkuar tre masa sigurimi “Arrest në burg” për shtetasit N.K., G.S. dhe E.K., për veprat penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burg”, parashikuar nga nenet 283/2 dhe 324/a/2 të Kodit Penal.
Hetimet mbi procedimin penal nr.669, viti 2025, të cilat janë zhvilluar mbi bazën e informacioneve të referuara nga organet ligjzbatuese, kanë zbuluar se punonjësi i policisë së burgjeve N.K., i cili shërben në regjimin e brëndshëm në IEVP Elbasan, është përfshirë në veprimtari të kundraligjshme, konkretisht në futjen e lëndëve narkotike në regjimin e brëndshëm.
Për të maskuar aktivitetin e tij, N.K. ushtron aktivitet shitësi ambulant jashtë orarit të punës, ku merr porosi nga të afërmit e të paraburgosurve dhe i sjell në IEVP Elbasan. Nga verifikimet e kryera, është administruar informacion se ai furnizon me lëndë narkotike të paraburgosurit, të cilët më pas kryejnë shitjen dhe shpërndarjen e tyre në regjimin e brendshëm.
Prokuroria ka marrë dhe administruar informacione se shtetasi N.K. kryen këtë veprimtari të kundraligjshme kryesisht gjatë marrjes së shërbimit në turnin e tretë, si dhe ditëve të shtunë dhe të diel, periudha kur në institucion mungon personeli i administratës.
Nga hetimet dhe përgjimet e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Elbasan, duke përfshirë përgjime telefonike dhe ambientale, vëzhgime, dokumentim filmik, veprime simuluese dhe akte ekspertimi, është vërtetuar se N.K. bashkëpunon me shtetasen E.M. për futjen e lëndëve narkotike, për të cilën paguhet nga kjo e fundit. Shumat e përfituara variojnë nga 100 deri në 200 mijë lekë të vjetra.
Shtetasja E.M. ka dhënë detaje se si i dashuri i saj, i identifikuar si G.S., shet lëndë narkotike në IEVP Elbasan me çmime të ndryshme.
Duke marrë parasysh rrethanat e parashtruara, organi procedues vlerëson se në ngarkim të personave nën hetim N.K., E.K., dhe G.S., ekziston dyshim i arsyeshëm dhe i bazuar në prova se kanë kryer veprat penale të “Prodhim dhe shitja e narkotikëve” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burg”, parashikuar nga nenet 283/2 dhe 324/a/2 të Kodit Penal.
Masat e sigurimit janë ekzekutuar nga shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve më datë 22.01.2026.
