Polici i dehur arrestohet për aksident në Tiranë

Arrestohet polici: I dehur, përplasi një grua në mes të Tiranës

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar në flagrancë një punonjës policie, i cili dyshohet për drejtim të parregullt të automjetit dhe largim nga vendi i aksidentit.

Sipas njoftimit zyrtar, në pranga ka rënë inspektori D.G., me detyrë trupë shërbimi pranë Njësisë së Ceremonialit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Ai dyshohet për veprat penale “Drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

Arrestimi u bë pasi mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20:25, në zonën e “Rrugës së Dibrës” në Tiranë, punonjësi i policisë është përfshirë në një aksident rrugor. Si pasojë, ka mbetur e dëmtuar shtetasja E.M., e cila u transportua në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën.

Pas aksidentit, efektivi është larguar nga vendi i ngjarjes, por më pas është kapur në afërsi të Urës së Babrrusë. Nga verifikimi me testin e alkoolit, ai ka rezultuar me nivel 1.03 mg/l.

Materialet proceduriale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme.

Scroll to Top