Zgjedhjet e Pjesshme Lokale: Policia e Shtetit Njofton Plan Masash për Procesin
Zgjedhjet lokale, të cilat do të mbahen të dielën në pesë Bashki të vendit, do të shoqërohen nga masa të shtuara sigurie. Policia e Shtetit ka njoftuar se puna e saj ka vijuar që prej shpërndarjes së materialeve zgjedhore dhe do të vazhdojë për mbarëvajtjen e procesit.
Njoftimi i plotë:
Në zbatim të detyrimeve ligjore që ka Policia e Shtetit gjatë procesit zgjedhor, të përcaktuara në pikën 2 të nenit 4 dhe pikën 6 të nenit 7 të Vendimit Nr. 12, datë 30.12.2020, të KQZ “Rregullat e veprimtarisë së Policisë së Shtetit në shërbim të zgjedhjeve”, si dhe Vendimin nr.25, datë 27.03.2025 të Komisionit Rregullator “Për disa ndryshime në Vendimin Nr.12, datë 30.12.2020”, informacioni i mëposhtëm përcillet:
- Nisur nga situata e përgjithshme e rendit dhe sigurisë publike, si dhe bazuar në kërkesat e Drejtorive Vendore të Policisë dhe Federatës Shqiptare të Futbollit për garantimin e rendit gjatë aktiviteteve sportive (ndeshjet e futbollit të kategorisë Superiore dhe të Parë), me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë, është vlerësuar e domosdoshme përdorimi i forcave të Njësive për Sigurinë Publike në Drejtorinë e Forcës Kombëtare të Sigurisë pranë DPPSH, për mbështetjen e Drejtorive Vendore të Policisë.
- Në mbështetje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për kryerjen e shërbimit, shoqërimin dhe sigurimin e materialeve zgjedhore gjatë transportit nga P.K.K. Hani i Hotit, Shkodër për në ambientet e magazinave të KQZ-së në Vaqarr, Tiranë, janë angazhuar 7 (shtatë) punonjës policie dhe 1 (një) mjet i Njësisë për Sigurinë Publike Shkodër. Shërbimi filloi në orën 08.00 të datës 06.11.2025 dhe përfundoi në orën 02.00, datë 07.11.2025.
- Në mbështetje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për kryerjen e shërbimit, shoqërimin dhe sigurimin e materialeve zgjedhore gjatë transportit nga magazinat e KQZ-së në Vaqarr, Tiranë, në drejtim të KZAZ-së në Bashkitë Vlorë, Tepelenë, Berat, Burrel, Cërrik, si dhe për mbështetjen e Drejtorive Vendore të Policisë për garantimin e rendit publik, janë angazhuar me shërbim 40 (dyzet) punonjës policie dhe 5 (pesë) mjete të Njësisë për Sigurinë Publike Fier dhe Tiranë. Shërbimi ka filluar në datën 07.11.2025, ora 06.00, deri në një urdhër të dytë.
- Në mbështetje të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë për kryerjen e shërbimit, si dhe mbështetjen e strukturave të policisë vendore për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike në territorin në juridiksion të kësaj drejtorie, janë angazhuar me shërbim 8 (tetë) punonjës policie dhe 1 (një) mjet i Njësisë për Sigurinë Publike Fier. Shërbimi do të fillojë në datën 07.11.2025, ora 14.00, deri në një urdhër të dytë.
Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për zbatimin rigoroz të ligjit dhe akteve nënligjore, para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor.
