Protesta e opozitës: Policia e Tiranës nuk merr përsipër zhvillimin e tubimit
Policia e Tiranës ka njoftuar se nuk merr përsipër organizimin e protestës së Partisë Demokratike të planifikuar për pasditen e sotme. Megjithatë, policia deklaron se janë marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të tubimit. Disa rrugë kryesore që lidhen me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku pritet të grumbullohen protestuesit, janë bllokuar.
Njoftimi i Policisë:
Subjekti politik Partia Demokratike e Shqipërisë ka njoftuar Policinë e Tiranës për zhvillimin e një tubimi më datë 20.02.2026, në orën 18:00, para Kryeministrisë.
Bazuar në analizën e riskut dhe duke marrë parasysh incidente të mëparshme ku persona të maskuar kanë hedhur bomba molotov dhe lëndë piroteknike, duke shkaktuar dëmtime punonjësve të policisë, si dhe nga informacionet për mundësinë e veprimeve të dhunshme gjatë protestës së sotme, Policia e Tiranës i ka kthyer përgjigje subjektit politik duke theksuar se nuk e merr përsipër zhvillimin e tubimit.
Pavarësisht kësaj, Policia e Tiranës ka ndërmarrë të gjitha masat, në përputhje me ligjin “Për tubimet”, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, në rast se tubimi do të zhvillohet.
Në zbatim të këtyre masave, ditën e sotme, do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:
- Nga ora 15:00 e datës 20.02.2026, deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve, Policia e Tiranës ka marrë masa për devijimin e qarkullimit të automjeteve në rrugë alternative.
Policia e Tiranës u bën apel qytetarëve të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative. Gjithashtu, u kërkohet të distancohen dhe të denoncojnë në rast se hasin veprime të dhunshme apo çdo paligjshmëri tjetër.
