Policia greke heton zhdukjen e shqiptarit pasi trupi i tij u gjet i djegur në makinë
Policia greke po zhvillon hetime lidhur me rastet e zhdukjeve të regjistruara ditët e fundit në Athinë. Qëllimi është të hidhet dritë mbi identitetin e personit të gjetur dje, i lidhur dhe i djegur në pjesën e pasme të një automjeti në Skourta të Viotias, pranë Athinës.
Megjithëse numri i personave të zhdukur në pesë ditët e fundit në Athinë arrin në 14, vëmendja e policisë është përqendruar te një shqiptar, i cili punonte në ndërtim dhe nuk kishte pasur probleme me ligjin. Ai rezulton i zhdukur rreth katër ditë më parë.
Sipas informacioneve, ai jetonte në Evia dhe ditën e zhdukjes së tij po udhëtonte drejt Vilias. Fillimisht, ai u nis nga Evia së bashku me një të njohur. Ndaluan në një zonë të ishullit, ku ai la mikun e tij dhe më pas vazhdoi rrugën i vetëm me makinën e tij. Automjeti i tij është gjetur i braktisur nga policia.
Një anëtar i familjes do t’i dorëzojë autoriteteve ADN-në për të përcaktuar nëse personi i zhdukur është ai i gjetur i karbonizuar në Skourta, Viotia. Familjarët kanë deklaruar se ai nuk kishte konflikte me askënd dhe ata nuk e kuptojnë se çfarë i ka ndodhur, pasi papritmas nuk ka dhënë më shenja jete.
Mjeti në të cilin u zbulua kufoma rezulton i vjedhur në maj 2025 në Glifadha, Athinë dhe mbante targa të falsifikuara, të cilat i përkisnin një automjeti të së njëjtës markë dhe ngjyrë nga Katerini.
Kufoma u gjet me pranga nën krahë, të cilat dyshohet se janë përdorur për ta lidhur, por që mendohet t’i kenë rënë nga duart si pasojë e karbonizimit. Dyshohet se ngjarja mund të ketë ndodhur dy ditë më parë, ndërsa automjeti i djegur u zbulua dje paradite nga një gjahtar.
