Policia sekuestron 2200 tableta ekstazi
Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona, Elvis Lezo, 42 vjeç, dhe Bujar Lezo, 59 vjeç, pasi kishin kthyer banesën e tyre në një ambient prodhimi të lëndëve narkotike ekstazi. Sipas njoftimit të policisë, gjatë një kontrolli në banesën e tyre, në rrugën “Ali Demi”, u zbulua një dhomë e përshtatur për përgatitjen e tabletave me lëndë narkotike ekstazi, të cilat dyshohet se synonin t’i shisnin në lokalet e natës.
Gjatë kontrollit, uniformat blu sekuestruan 2200 tableta me substancë të dyshuar si ekstazi (MDMA) dhe dy telefona celularë, të cilët u morën si prova materiale. Çështja i është referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë detajon më tej:
- Operacioni policor i koduar “Blue Punisher” është finalizuar pas disa javësh hetime proaktive, duke sjellë arrestimin e dy personave të afërm (E. L., 42 vjeç dhe B. L., 59 vjeç), banues në Tiranë.
- Dyshimet për përshtatjen e një ambienti banese për prodhimin e ekstazit (MDMA) me qëllim shitjen, çuan në arrestimin e tyre.
- Janë sekuestruar 2200 tableta me substancë të dyshuar si ekstazi (MDMA).
- Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin “Blue Punisher”.
- Gjatë kontrollit në banesë, u gjet dhe u sekuestrua si provë materiale, sasia prej 2200 tableta me lëndë të dyshuar narkotike ekstazi (MDMA) dhe 2 celularë.
- Materialet i janë referuar Prokurorisë për procedim të mëtejshëm.
