Die. Dhj 16th, 2018

Politikanët, në det e në mal. Ulin “armët” edhe në rrjetet sociale

Java e parë e gushtit u kapërcye qetësisht nga politika.

Para rindezjes së motorëve në shtator, një lloj “armëpushimi” vihet re edhe në rrjetet sociale, ku udhëheqësit politikë shfrytëzuan ditët e fundkorrikut për të replikuar në distancë mbi aktualitetin e ditës, që lidhej kryesisht me mungesën e konsensusit për riparimet e Reformës në Drejtësi, si dhe me veprimet e organeve të vettingut, ndërsa gjyqtarë e prokurorë siteshin, disa duke kaluar e disa duke mbetur në filtër.

Kabineti qeveritar është porositur prej kohësh që të qëndrojë brenda kufijve, kryesisht pranë zonave ku janë të ngarkuar politikisht, duke kombinuar pushimet edhe me shfaqje që kryesisht janë pjesë e promovimit të turizimit në vend.

Këtë funksion po kryen edhe kryeministri përmes postimeve të tij të përdishme. Edi Rama po qëndron në Jug, ku nuk ka munguar as këtë herë një foto me Zahon, ndër të rrallat familjare prej tij.

Lulzim Basha mësohet të jetë në Qerret të Kavajës, edhe pse prej kreut të opozitës mungojnë dëshmi fotosh apo videosh. Në faqen e tij zyrtare në Facebook publikohen daljet e përditshme të Partisë Demokratike, nga foltorja e së cilës deputetët kanë vijuar me akuza ndaj qeverisë.

“Projekti 1 miliard është shumë i mirë për Ramën dhe partnerët e tij, por jo për shqiptarët”, u shpreh këtë të martë deputeti Shehaj.

Pasi ra gongu i fundsesionit, kryeparlamentari po pushon në bregdetin e Jugut. Baza e Gramoz Ruçit nuk ka ndryshuar…është Vlora.

Pasi riktheu Teatrin në Kuvend, presidenti i Republikës kreu dekretimet e tij të fundit. Ilir Metën e shohim tashmë aktiv me ecje dhe aktivitete të tjera, në Bjeshkët e Shqipërisë dhe të Kosovës, duke promovuar turizmin malor të shqiptarëve këtej e andej kufirit.

Të martën dëshmoi se, pranë tij është edhe bashkëshortja Monika Kryemadhi, kryetare e LSI-së.

InfoPasqyra/tch

Vendi – Top Channel

Kategori