Poloni: Arrestime për spiunazh rus, 5 të dyshuar ukrainas e bjellorusë

Polonia arreston dy shtetas ukrainas dhe tre bjellorusë të dyshuar për spiunazh në favor të Rusisë

Prokuroria e Polonisë njoftoi sot arrestimin e dy shtetasve ukrainas dhe tre bjellorusë, të cilët dyshohen se kanë vepruar me urdhra të shërbimeve të huaja të inteligjencës. Ky arrestim vjen në një periudhë kur Varshava paralajmëron për përpjekjet ruse për të destabilizuar vendet që mbështesin Kievin.

Polonia pretendon se është shënjestër e zjarrvënieve dhe sulmeve kibernetike, të cilat i konsideron pjesë të “luftës hibride” që, sipas saj, Rusia po zhvillon për të minuar mbështetjen ndaj Ukrainës. Moska i ka mohuar këto akuza.

Të dyshuarit, Oleksandr.S dhe Sofia Ts., shtetas ukrainas, si dhe bjellorusët Viktoria M., Anton M. dhe Vladimir.U, u arrestuan nga policia dhe shërbimet e inteligjencës më 25 dhe 26 nëntor, konfirmoi prokuroria.

Sipas autoriteteve, aktivitetet e tyre kanë përfshirë fotografimin dhe dërgimin e imazheve të infrastrukturës kritike dhe lokacioneve me rëndësi për sigurinë kombëtare, gjatë vitit 2024 dhe muajve të parë të 2025. “Për këto veprime, të dyshuarit paguheshin në kriptomonedha,” thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Spiunazhi në Poloni dënohet me 5 deri në 30 vite burg. Tre nga të dyshuarit janë vendosur në paraburgim për tre muaj, ndërsa i mituri është dërguar në një qendër ndalimi për të mitur. Vladimir.U nuk u arrestua për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, por iu ndalua dalja nga vendi.

“Hetimi lidhet me përfshirjen e personave… në aktivitete për llogari të shërbimeve të huaja të inteligjencës kundër Republikës së Polonisë, nga marsi 2024 deri në shkurt 2025, në Rzeszow, Varshavë, Lódź dhe zona të tjera,” thuhet në deklaratën e prokurorisë. “Veprimet përfshinin fotografimin dhe shpërndarjen e imazheve të infrastrukturës kritike, si dhe vendosjen e posterëve dhe krijimin e grafiteve.”

Scroll to Top