Polonia paralajmëron Kremlinin: Mos shkelni hapësirën ajrore, do të arrestoheni
Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radosław Sikorski, i ka dërguar një paralajmërim presidentit rus Vladimir Putin lidhur me fluturimet mbi territorin polak.
Sipas Sikorskit, nëse Putin hyn në hapësirën ajrore të Polonisë, ai mund të përballet me arrestim, në përputhje me urdhër-arrestin ndërkombëtar të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (GJPN) në Hagë.
Ky urdhër, i lëshuar në vitin 2023, lidhet me akuzat për rrëmbimin dhe deportimin e qindra fëmijëve ukrainas drejt Rusisë.
“Nuk mund të garantoj që një gjykatë e pavarur polake nuk do të urdhërojë uljen e detyruar të avionit për të dorëzuar të dyshuarin në Hagë,” ka thënë Sikorski për median.
Ai ka shtuar se Rusia është e vetëdijshme për këtë rrezik dhe, nëse udhëtimi zhvillohet, shpreson që delegacioni rus të zgjedhë një rrugë ajrore tjetër.
Hungaria, ku do të zhvillohet takimi, ka deklaruar se do të garantojë sigurinë e Putinit për hyrjen dhe daljen nga vendi. Megjithatë, nëse ai shmang hapësirën ajrore të Ukrainës, delegacioni rus do të duhet të kalojë mbi territorin e të paktën një vendi të BE-së, të gjitha anëtare të Gjykatës Ndërkombëtare.
Hungaria, edhe pse anëtare aktuale, ndodhet në proces të largimit nga GJPN.
