2025, popullsia e Shqipërisë ra me ritmet më të larta në rajon
Popullsia e Shqipërisë po tkurret me ritme dukshëm më të shpejta, rreth dy deri tre herë më shumë se në vendet e tjera të rajonit, sipas të dhënave të azhurnuara nga Eurostat për popullsinë e vendeve kandidate.
Në vitin 2025, popullsia zyrtare e Shqipërisë ishte 2,363,314 banorë, me një tkurrje prej rreth 27,628 personash brenda një viti. Në terma relativë, rënia ishte -1.2%, norma më e lartë në rajon.
Sipas të dhënave të Eurostat, rënia e popullsisë në vendet e tjera kandidate ishte:
- Bosnjë-Hercegovinë: -0.3%
- Maqedonia e Veriut: -0.2%
- Serbi: -0.6%
- Mali i Zi: -0.1%
Në katër vendet e tjera kandidate të Ballkanit Perëndimor, popullsia ra mesatarisht me 0.3%, ndërsa në Shqipëri, me 1.1%, gati 4 herë më shumë. Kjo diferencë tregon se fenomenet demografike, veçanërisht emigracioni i vazhdueshëm dhe ulja e lindshmërisë, po ndikojnë vendin tonë më shumë se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor me status kandidat për anëtarësim në BE.
Në vitet e fundit, rënia e popullsisë është përshpejtuar për shkak të tkurrjes së të rinjve, të cilët po ulën lindjet nga viti në vit. Tkurrja e fortë në grup-moshën deri në 30 vjeç po vjen kryesisht si pasojë e emigracionit të lartë, i cili vazhdon të jetë ndër më të lartët në Europë. Shqiptarët, veçanërisht të rinjtë dhe profesionistët, largohen për paga më të larta, kushte më të mira pune dhe mundësi më të qëndrueshme karriere në vendet e BE-së.
Kjo tendencë është rritur pas liberalizimit të tregut europian të punës dhe skemave të rekrutimit nga vende si Gjermania, të cilat kanë kërkesa të mëdha për fuqi punëtore.
Të dhënat e brendshme tregojnë se popullsia nga 15-29 vjeç, që përfaqëson grupin e të rinjve aktiv në emigrim, u tkurr me 45% ndërmjet viteve 2011 dhe 2025.
Gjithashtu, Shqipëria ka nivelin më të ulët të lindjeve në historinë e saj të tranzicionit, me një normë fertiliteti rreth 1.2 fëmijë për grua në moshë riprodhuese, shumë poshtë nivelit të zëvendësimit dhe ndër më të ulëtat në Europë. Shumë çifte të reja shtyjnë krijimin e familjes për shkak të pasigurisë ekonomike, kostove të larta të rritjes së fëmijëve dhe emigrimit të partnerëve.
Në dekadën e ardhshme, numri i vdekjeve pritet të jetë më i lartë se ai i lindjeve, duke krijuar një deficit natyror që vetëm do të thellohet nëse nuk merren masa frenuese.
