Pre. Nën 16th, 2018

“Predha” e Xhakës rindez festën kuqezi

Ka mjaftuar një “silurë” e Taulant Xhakës në minutën e 55-të të takimit, që Shqipëria të mposhtë me rezultatin minimal Izraelin dhe ta nisë me fitore aventurën në Ligën e Kombeve.

Ndonëse ishte një sfidë e përgatitur mes pesimizmit të shkaktuar nga miqësoret e gjysmës së parë të vitit, por edhe me një numër relativisht të ulët tifozësh në tribuna, kuqezinjtë ia dolën të marrin 3 pikët e para në këtë kompeticion.

Loja në “Elbasan Arena” pa kuqezinjtë protagonistë, që kërkonin të kontrollonin lojën dhe iu afruan disa herë golit, ku rastet më të mira i pati sulmuesi shkodran Sindrit Guri.

Nga ana tjetër, izraelitët prisnin kundërsulmin dhe zbritën disa herë rrezikshëm, por gjetën përballë një super Thomas Strakosha, që në të paktën 3-4 raste u mohoi golin.

Në minutën e 55-të ishte një aksion i Hykës nga e majta, që pasi u fut në zonë, shërbeu për Xhakën në hyrje të saj dhe goditja e numrit 14 të kuqezinjve, përfundoi në cepin e djathtë të portës së Izraelit.

Në minutat në vijim Shqipëria pati sërish disa mundësi shënimi, ku më flagranti ishte ai i Elseid Hysajt, që i vetëm me portierin gjuajti jashtë, ndërsa në krahun tjetër, Strakosha e kishte kyçur portën e vet.

Vërshëllima e trefishtë e arbitrit hungarez Victor Kasaai “ndezi” festën kuqezi në Elbasan dhe kudo, ndërsa solli edhe çlirimin e Christian Panuccit, që nuk e fshehu entuziazmin e këtij triumfi, pas një periudhe disa mujore të kaluar mes kritikave dhe rezultateve negative.

Takimi i radhës i Shqipërisë do të jetë mbrëmjen e 10 Shtatorit në Gllasgou ndaj Skocisë, po për Ligën e Kombeve, në një sfidë ku do të kërkohet suksesi i radhës, për t’u konfirmuar në krye të grupit.

InfoPasqyra/tch

Kategori