Presidenti Sirisë në Uashington pas heqjes së sanksioneve

Presidenti sirian Ahmed Sharaa viziton Uashingtonin pas heqjes nga lista e sanksioneve terroriste

Presidenti i Sirisë, Ahmed Sharaa, ka mbërritur këtë të diel në Uashington DC për një vizitë zyrtare. Kjo vizitë vjen vetëm dy ditë pasi Shtetet e Bashkuara hoqën emrin e tij nga lista e personave të sanksionuar si “terrorist global”.

Gjatë qëndrimit të tij në SHBA, Sharaa do të takohet të hënën në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan Donald Trump. Takimi synon të forcojë bashkëpunimin mes dy vendeve, veçanërisht pas ndryshimeve të fundit në Damask.

Vetëm pak orë para mbërritjes së tij në Uashington, autoritetet siriane njoftuan arrestimin e 71 personave të dyshuar si pjesëtarë të grupit terrorist ISIS, si dhe konfiskimin e armëve dhe eksplozivëve.

Kjo vizitë historike vjen 11 muaj pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Assad-it, duke shënuar fundin e më shumë se një dekade luftë civile në Siri.

Sipas burimeve diplomatike, lufta kundër ISIS-it dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërkombëtare të Sirisë pritet të jenë temat kryesore të diskutimit mes Sharaas dhe Trumpit.

Departamenti amerikan i Thesarit konfirmoi të premten se Sharaa dhe ministri i tij i Brendshëm, Anas Hasan Khattab, janë hequr nga lista e personave të dyshuar për mbështetje të terrorizmit.

Sharaa, i njohur më parë me emrin Muhammad al-Jawlani, ka qenë komandant i Hayat Tahrir al-Sham (HTS). Ky grup, i cili dikur ishte i lidhur me Al-Kaedën, u shkëput prej saj në vitin 2016.

Scroll to Top