Presidentja Sheinbaum: Zero Tolerancë për Ngacmimin Seksual

Presidentja e Meksikës zotohet të mos tolerojë ngacmimin seksual publik

Presidentja e Meksikës, Klaudia Sheinbaum, ka shprehur vendosmërinë për të denoncuar dhe mos-toleruar sjellje të tilla, duke u zotuar se do të ngrejë padi kundër një burri që e preku në mënyrë të papërshtatshme gjatë një vizite zyrtare në qytetin e Meksikos.

Në një konferencë për shtyp, Sheinbaum deklaroi se kjo veprim është një mesazh për të gjitha gratë në vend.

Një video e filmuar me celular tregon momentin kur, teksa Sheinbaum po fliste me një grup mbështetësish pranë Pallatit Kombëtar, një burrë iu afrua, u përpoq ta puthte në qafë dhe i vendosi duart mbi trupin e saj. Presidentja, duke shfaqur shqetësim por duke ruajtur qetësinë, u tërhoq menjëherë, ndërsa një anëtar i ekipit të saj të sigurisë ndërhyri. Agresori u arrestua në vendngjarje.

“Qëndrimi im është ky: nëse unë nuk bëj kallëzim, çfarë do të ndodhë me gratë e tjera meksikane? Nëse një gjë e tillë i ndodh presidentes, çfarë mund të ndodhë me të gjitha gratë e vendit tonë?”, pyeti Sheinbaum, duke theksuar rëndësinë e reagimit ndaj këtyre akteve.

Ajo shtoi se vendimi për të ngritur padi vjen nga përvoja e saj personale si grua, por gjithashtu si përfaqësuese e përvojës që përjetojnë shumë gra në Meksikë. “E kam përjetuar edhe në të kaluarën, kur nuk isha presidente, madje që kur isha studente,” tha ajo.

Sheinbaum sqaroi se denoncimi do të bëhet edhe për faktin se i njëjti burrë dyshohet se kishte ngacmuar gra të tjera në turmë. “Duhet vënë një kufi,” theksoi ajo.

Scroll to Top