Pritjet e bizneseve dhe agjentëve financiarë për inflacionin janë në rritje
Pritjet e institucioneve financiare dhe bizneseve për inflacionin në të ardhmen treguan një rritje gjatë tremujorit të tretë të vitit. Sipas vrojtimeve periodike të Bankës së Shqipërisë, pritjet e agjentëve financiarë janë rishikuar në rritje, duke u pozicionuar rreth 0.2 pikë përqindjeje më lart krahasuar me tremujorin e kaluar.
Agjentët financiarë presin një inflacion prej 2.8% pas një viti dhe 3% pas dy dhe tre vitesh. Gjithashtu, pritjet e bizneseve për inflacionin pas një dhe dy vitesh u rritën në tremujorin e tretë, duke arritur nivelin 3.5%.
Nga ana tjetër, pritjet e konsumatorëve janë rishikuar lehtësisht poshtë, duke qëndruar në 9.3% nga 9.5% një tremujor më parë. Megjithatë, inflacioni i pritur nga konsumatorët mbetet në nivele të larta.
Banka e Shqipërisë, në raportin e saj më të fundit të politikës monetare, parashikon që inflacioni pritet të kthehet në objektivin prej 3% gjatë gjysmës së parë të vitit 2026 dhe të qëndrojë pranë këtij niveli edhe në tremujorët vijues.
Pritjet inflacioniste janë një faktor që mund të ndikojë në formimin e çmimeve në ekonomi. Kur ka pritshmëri inflacioniste të larta mes bizneseve dhe konsumatorëve, bizneset mund t’i materializojnë këto pritje duke rritur çmimet për të ruajtur marzhet e tyre.
Të dhënat më të fundit të INSTAT treguan se inflacioni për muajin nëntor pësoi një rënie, duke shkuar në 2.1% nga 2.3% një muaj më parë. Ky nivel është më i ulëti që prej muajit mars. Megjithatë, inflacioni aktualisht i ulët duket të jetë kryesisht rezultat i komponentëve afatshkurtër dhe i inflacionit të importuar.
Në raportin e politikës monetare për tremujorin e katërt të vitit, Banka e Shqipërisë thekson se presionet inflacioniste nga jashtë mbeten të dobëta, të kushtëzuara nga çmimet e ulëta të lëndëve bazë në tregjet ndërkombëtare dhe nga mbiçmimi i kursit të këmbimit të Lekut. Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë thekson se presionet e brendshme inflacioniste janë forcuar, duke pasqyruar zgjerimin e aktivitetit ekonomik, kushtet e shtrënguara në tregun e punës, si dhe rritjen e çmimit të qirave.
Inflacioni bazë, i cili përjashton produktet me luhatshmëri të lartë si ato ushqimore dhe energjetike, u rrit përsëri në muajin tetor, duke arritur nivelin më të lartë në dy vitet e fundit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, inflacioni bazë u rrit në 3.13% nga 3.07% në shtator. Gjithashtu, inflacioni bazë ka thelluar rritjen me bazë vjetore; në tetorin e vitit të kaluar, ai ishte në nivelin 2.19%.
Paralelisht me inflacionin bazë, edhe inflacioni bazë neto për tetorin u rrit në 3.5%, nga 3.4% në shtator, duke mbetur gjithashtu në rritje krahasuar me nivelin prej 2% të një viti më parë. Inflacioni bazë neto përjashton më tej nga inflacioni edhe nëngrupet e ushqimeve të përpunuara, duke përfshirë bukën dhe drithërat. Ndërkohë, inflacioni që përjashton të gjitha produktet ushqimore dhe energjetike për muajin tetor u rrit në 3.36%, nga 3.28% në muajin shtator.
