Probleme Investimesh Publike 2024: Kaos Buxhetor

Ndryshimet e shpeshta të buxhetit sjellin kaos në investimet publike

Planifikimi dhe ekzekutimi i investimeve publike gjatë vitit 2024 janë shoqëruar me paqëndrueshmëri të planeve buxhetore dhe probleme strukturore në menaxhimin e projekteve kapitale. Të dhënat nga “Deklarata e Posaçme e Rreziqeve Fiskale” e Ministrisë së Financave për vitin 2024 tregojnë se, pavarësisht kuadrit ligjor në fuqi, ndryshimet e shpeshta gjatë vitit kanë krijuar pasiguri financiare.

Gjatë vitit 2024, planet buxhetore për shpenzimet kapitale janë rishikuar disa herë përmes akteve normative. Kjo ka sjellë dallime të konsiderueshme mes projektbuxhetit, buxhetit fillestar dhe atij final, duke ndikuar në afatet e projekteve ose duke çuar në pezullimin e tyre. Të dhënat e Ministrisë së Financave konfirmojnë devijime të ndjeshme mes Programit Buxhetor Afatmesëm (PBA), buxhetit fillestar dhe atij final për shpenzimet kapitale, çka reflekton pasiguri në menaxhimin e afateve të investimeve publike. Këto luhatje kanë cenuar parashikueshmërinë e financimit dhe rrjedhimisht punën në kohë të projekteve.

Ministria e Financave ka pranuar se gjatë vitit janë evidentuar edhe problematika strukturore që kanë ndikuar në kostot e projekteve, duke kërkuar nevojën për shtesa të paplanifikuara në PBA. Vonesat lidhen, ndër të tjera, me analiza të pamjaftueshme dhe të pakompletuara në fazën fillestare të projekteve, procedurat e gjata administrative për miratimin e tyre, si edhe me ristrukturimin e fondeve nga ministritë dhe shërbimet përkatëse.

Një tjetër sfidë mbetet lista unikë e projekteve me rëndësi kombëtare, duke përfshirë edhe ato që realizohen përmes partneriteteve publike-private. Sipas deklaratave zyrtare, të dyja këto aspekte kërkojnë një disiplinë fiskale më të lartë dhe efikasitet publik më të mirë. Kjo nxjerr në pah nevojën për një plan më të qëndrueshëm afatmesëm dhe një kuadër ligjor më rigoroz, në mënyrë që investimet publike të realizohen me kosto më të kontrolluar dhe pa vonesa që rëndojnë financat e shtetit.

Shpenzimet për investime në vitin 2024 janë menaxhuar sipas metodologjisë së miratuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 887, datë 27 dhjetor 2022, ndërsa financimi është ndarë sipas udhëzimeve standarde për politikat buxhetore. Megjithatë, ka dallime të ekzistuese dhe të reja. Prioritet në financim kanë projektet kapitale të papërfunduara që pritet të finalizohen, projektet ende të pafilluara por me mbështetje ligjore të miratuara në Programin Buxhetor Afatmesëm (PBA), si edhe investimet e planifikuara gjatë vitit fiskal.

Scroll to Top