Probleme me aparaturat në Onkologjik, pacientët në rrezik

Kemi 3 ditë pa rreze: Pacientët e Onkologjikut në mëshirën e fatit

Prej tre ditësh, pacientët që vuajnë nga kanceri dhe të cilët kanë nevojë për radioterapi në spitalin Onkologjik, nuk e kanë mundur të marrin shërbimin e nevojshëm.

Gazetari Osman Stafa denoncon faktin se prej 3 ditësh, dy akseleratorët e vetëm të këtij spitali nuk punojnë. Arsyeja është se njërit prej bunkërëve i është prishur dera, ndërsa tjetri ka probleme me funksionalitetin.

Sipas gazetarit, rreth 100 pacientë në ditë e vizitojnë spitalin Onkologjik për të kryer radioterapi, siç edhe parashikohet nga protokolli mjekësor.

Pacientët shprehen se ndodhen në një situatë të vështirë, pasi lufta e tyre kundër kancerit është ndërprerë. Një paciente tregon:

“Erdha dje, aparati ishte i prishur. Erdha sot, aparati ishte i prishur. Edhe sa do të vuaj unë? Paguaj makinë për të më marrë e për të më çuar për të bërë një rreze. I lutem Kryeministrit të ndërhyjë, sepse ne po luftojmë për jetën. Mjeku thotë se nëse nuk bëj rrezet, nuk do të ketë efektin e duhur. Nuk e mendoja se do të vija në Onkologjik, por të paktën të na ndihmojë njeriu. I lutem Kryeministrit, pasi erdhi para 10-15 ditësh në Onkologjik për të na parë, të na bëjë një spital të ri, sepse ne po luftojmë për jetën tonë. Do të kthehem në shtëpi, e nesër do të vij prapë. Do vij, sepse nuk kam çfarë të bëj. Do luftoj që të rroj, aq sa të ma japë Zoti.”

Situata është e njëjtë edhe për një banor nga Malësia e Madhe, i cili shprehet se prej tre ditësh nuk po kryen rreze, pasi pajisja është e prishur.

“Jam nga Malësia e Madhe, kam ardhur të bëj rreze, dhe më thonë që nuk punon. Bëj përgjegjës qeverinë. Jemi të mbaruar kështu,” theksoi ai.

Scroll to Top